Topalli: Negociata, nëse në janar PS vjen në Kuvend
Në 100-ditëshin e parë të Kuvendit të ri dhe vetëm me deputetët e mazhorancës, janë miratuar 70 ligje. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vetëm një ditë nga mbyllja e sesionit parlamentar, me rastin e festave të fundvitit, bëri bilancin e institucionit qendror të shtetit shqiptar. Në një dalje publike para medias, Topalli deklaroi se 100-ditëshi i parë i kësaj legjislature ka qenë një sukses nga ana e miratimit të ligjeve jetikë për reformat e vendit. “Në çdo seancë, por jo vetëm, edhe në komisionet parlamentare. Fakti që gjatë këtij sesioni janë kaluar 70 ligje në 100 ditë, janë bërë 169 mbledhje të komisioneve parlamentare, mbi 210 orë pune diskutimesh dhe shqyrtimesh tregojnë se ky Parlament ka funksionuar me intensitet dhe me përgjegjësi dhe me seriozitet të madh”, - deklaroi Topalli. Kryetarja u pyet nga media në lidhje me bojkotin e opozitës si dhe për zgjidhjet e mundshme të situatës. Sipas Topallit, zgjidhja e bojkotit gjendet vetëm tek ligji dhe Kushtetuta, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë sinjal nga opozita në lidhje me vijimin ose jo të bojkotit. “Si kryetare e Kuvendit, unë dëshiroj të shoh opozitën në rolin e saj, në detyrën e saj. Unë nuk kam asnjë sinjal. E vetmja gjë që unë di, është se në një sistem demokratik, që funksionon mbi zgjedhje të lira dhe të ndershme, opozita e ka vendin në Parlament”, - tha Topalli. Më tej, kryetarja e Kuvendit deklaroi se deputetët e opozitës duhet të kthehen në Kuvend për të respektuar detyrimet e tyre kushtetuese si dhe ndaj qytetarëve që i kanë zgjedhur. Ajo i bëri thirrje lidershipit socialist të reflektojë dhe të kthejë debatin opozitar brenda sallës së Kuvendit. “Në një vend që funksionon me një sistem demokratik, me zgjedhje të lira dhe të ndershme ka një rregull bazal që është: mazhoranca ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të qeverisur. Opozita ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të bërë opozitën parlamentare, kështu që unë uroj që ata do të jenë në Parlament dhe do të ushtrojnë mandatin e tyre për t’i sjellë debatit politik këndvështrimin opozitar. Unë nuk kam arsye për të ecur me hipoteza të tilla. Unë, si kryetare e Kuvendit, dëshiroj që zoti Rama t’i lejojë të vijnë në Parlament dhe apeli është për zotin Rama, t’i lejojë deputetët të vijnë dhe të ushtrojnë mandatin e tyre”, - tha më tej Topalli. Media pyeti kryetaren në lidhje me situatat konkrete si dhe kompromiset e domosdoshme për zgjidhjet e situatës politike, por Topalli tha se Kushtetuta dhe ligji janë të qarta dhe se Kuvendi nuk është gjykatë. “Ofrojmë çdo gjë që është e ligjshme dhe Kushtetuese. Si Kryetare e Kuvendit, jo se ia ofroj unë, por ia ofron Kushtetuta dhe Rregullorja të gjitha hapësirat, të gjitha mundësitë e kontrollit parlamentar, mundësi të pyetjeve drejtuar qeverisë, mundësi të interpelancave, mundësitë e punës, të kompromiseve dhe negocimeve brenda komisioneve parlamentare”, = shtoi Topalli. Një tjetër pyetje kishte të bënte me letrat e deputetëve të zgjedhur të PS-së që kërkojnë shpjegime për pagën e tyre, por sipas Topallit, “deputetët e njohin mirë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.
“Ndërtimi”, Topalli i përgjigjet Ramës: E diskutojmë në Kuvend
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu përgjigj publikisht letrës së një dite më parë, të cilën Edi Rama i dërgoi për mosmiratimin e ndryshimeve në ligjin për Inspektoratin e Ndërtimit. Sipas saj, ky është një rast për të përsëritur ftesën për të ardhur, për të diskutuar në komisione dhe në seancën plenare bashkë me opozitën. Ajo theksoi më tej se kjo letër duhet të jetë një sinjal që deputetët e PS-së të kthehen në Kuvend për të bërë detyrën e tyre. “Çështja e sigurisë publike dhe kombëtare është kryesisht çështje e pushtetit qendror dhe ajo që ka ndodhur me pallatin në Gjirokastër nuk mund të ndodhë më. Ne nuk mund ta lejojmë. Këtu secili merr përgjegjësitë e veta, por unë shfrytëzoj këtë rast që të ftoj deputetët për ta diskutuar edhe këtë ligj për të cilin zoti Rama ka dërguar letër, është rasti. Siç e dëgjuat nga raporti i të gjitha punimeve të Kuvendit, gjatë kësaj periudhe, në këtë sesion janë miratuar ligje në masën 70 për qind më shumë se për të njëjtën periudhë në legjislaturën e kaluar”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit.
Disa nga ligjet e miratuara në Kuvend
“Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave”
“Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore dhe atyre bujqësore”
“Për profesionet e rregulluara ne Republikën e Shqipërisë”
“Për ndihmën shtetërore”.
“Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës
“Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”
“Për fondet e pensionit vullnetar”
“Për dërgimin në Afganistan të një kompanie shtesë, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”
“Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”
“Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë:
“Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”