E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Zgjedhjet janë certifikuar nga gjykatat dhe ndërkombëtarët

Presidenti Bamir Topi për herë të parë ka artikuluar qartë qëndrimin e tij për zgjedhjet në vend, edhe pse kanë kaluar tashmë 5 muaj nga zhvillimi i tyre dhe opozita i ka kontestuar si të manipuluara. Topi ka thënë se respekton dhe beson vendimet e drejtësisë, në rastin konkret të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor dhe për më tepër beson vlerësimin e bërë nga ndërkombëtarët, të cilët nuk konstatuan se parregullsitë kanë qenë aq të mëdha sa të ndikonin në rezultat. Në një intervistë dhënë në “Top Channel” për gazetarin Sokol Balla, megjithëse tentoi të flasë me një gjuhë diplomatike që i shkon për shtat kreut të shtetit, ai dha një mesazh për opozitën. Topi u shpreh se “duke qenë se jam edhe në pozicionin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj vendimin e gjykatave të apelit, të cilat janë zgjedhur me preferencat e përfaqësuesve të partive kryesore në praninë time. Dhe së treti, meqenëse ne kemi pranuar monitorët e përfaqësuesve ndërkombëtarë të organizatave ku ne bëjmë pjesë, OSBE/ODIHR-it, i jam referuar raportit final të këtyre organizatave. Çka do të thotë tri pika reference shumë të forta dhe do të thosha që të gjitha së bashku, përbëjnë automatikisht dhe zërin e Presidentit. Dhe asnjë nga këto elementë që unë përmenda nuk besoj se ka pasur lëshim kur unë jam shprehur për mbarëvajtjen e këtij procesi”. Pas këtyre referencave, duket se s’ka asnjë shpresë për opozitën që të gjejë mbështetje tek kreu i shtetit për pretendimin e tyre për manipulime. Ndërkaq Topi është treguar dhe më i kujdesshëm se ndërkombëtarët për sa i përket bojkotit të opozitës, pasi nuk i ka bërë thirrje të drejtpërdrejt asaj që të kthehet në Kuvend. Nga ana tjetër, ai e ka cilësuar Parlamentin si një tempull të demokracisë dhe kësisoj ka nënkuptuar se PS duhet ta bëjë luftën e saj politike në atë sallë. Topi madje ka kujtuar se në kohën kur ai ishte në PD dhe PD-ja vendosi të bojkotonte Kuvendin, ai ka qenë kundër këtij vendimi në parim. “Nuk është se unë e them sot për herë të parë që Parlamenti është tempulli i demokracisë, aty ku zhvillohet dialogu politik. Aty i kemi bërë të gjitha debatet politike; i keni vënë re që njerëzit që nuk futen në Parlament, fillojnë e sfumohen. Nuk është një eksperiencë shqiptare, është një eksperiencë botërore. Pra konsiderohesh në politikë aktive, kur je pjesë e debatit parlamentar”, - u shpreh Presidenti. Gjithashtu Topi ezauroi dhe debatin që po bëhet për Konferencën Gjyqësore, duke sqaruar se duhet zbatuar ligji, megjithëse në këtë rast ligji kërkon votat e opozitarëve për të bërë të mundur zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLD-së. Topi nuk dha ndonjë premisë për t’u bërë negociator për të zgjidhur krizën politike. Ndërkohë që tha se me Kryeministrin Berisha, megjithëse nuk ka folur për këtë çështje, i ka marrëdhëniet e mira dhe institucionale.

“Unë mendoj se pozicionin tim si President e kam mbyllur për sa i përket vlerësimit të zgjedhjeve. Unë mendoj se vlerësimin tim për zgjedhjet e kam bërë më shumë se një herë dhe qëndroj në ato standarde që sapo i shpreha. Për sa u përket zhvillimeve politike, mënyrën sesi e shikojnë partitë debatin politik, mënyrën e shprehjes së vullnetit të tyre politik, është një çështje ekskluzive e partive politike. Ajo që më intereson qoftë si qytetar, qoftë si President i Republikës, është që debati politik të jetë një debat mbi bazën e një fizionomie perëndimore të realizimit të debatit dhe ka hapësirë të pafund për ta realizuar debatin, për të zhvilluar betejën politike dhe pastaj për të realizuar disa gjëra që domosdoshmërish Kushtetuta i ka paraparë që kërkojnë të gjitha palët. Dikujt mund t’i vijë keq që unë shprehem kështu, por unë flas mbi bazën e parimeve kushtetuese, flas mbi bazën e eksperiencave ndërkombëtare, mbi bazën e një eksperience të gjatë politike, gjithmonë kërkohet të bashkëpunohet. Në një bashkëpunim politik ka mundësi të debatohet, ka mundësi të lëshohet, pra është në vullnetin e partive politike. Nuk mund të jap unë leksione sot nga kjo zyrë. Të japësh leksione demokracie është shumë keq, sepse çdo njeri duhet të ketë vullnetin individual për t’u sjellë në mënyrë demokratike, për t’u grupuar në mënyrë demokratike, për të bërë vendimmarrjen në mënyrë demokratike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›