E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ali Këlcyra, marrëveshje me grekët për ardhjen e diversantëve në Shqipëri

01/03/2005  Cila ishte biseda e fshehtë që bëri kreu i fraksionit ballist A.Këlcyra me autoritetet greke?

Çfarë u kërkoi Këlcyra grekëve si ndihmë kundër regjimit të E.Hoxhës? Cila ishte deklarata që KKLSH i dërgoi Departamentit të Shtetit për rrezikun grek? Cili ishte në këtë reagimi i emigracionit politik shqiptar ndaj politikës greke?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Sipas informacioneve që jepte ambasada shqiptare në Itali, V.Andoni e kishte vlerësuar këtë marrëveshje si të një rëndësie të jashtëzakonshme, për arsye se autoritetet greke ishin angazhuar të ndihmonin KKSHL në luftën kundër regjimit komunist. Në këtë diskutim, Vasili kishte përmendur edhe kushtet e palës greke, të cilat ishin pranuar nga delegacioni i KKSHL-së. Ato konsistonin në angazhimin e KKSHL-së për të mos e sulmuar në propagandën e tij Greqinë dhe për ta popullarizuar atë në radhët e emigracionit. Ai ishte shprehur se, emigrantët shqiptarë “nuk duhet të impresionohen prej pretendimeve të vazhdueshme të grekëve për “Vorio-Epirin” dhe se, “në qoftë se grekët e kërkojnë tani “Vorio-Epirin”, këtë ata e bëjnë vetëm e vetëm se në Shqipëri është në fuqi qeveria komuniste. Këto kërkesa të grekëve, indirekt, janë në favorin tonë, për arsye se kufiri greko-shqiptar qëndron vazhdimisht në gjendje lufte. Por, ne nuk duhet të mendojmë kurrë se Greqia do të ketë po këto pretendime, edhe pasi ne të marrim në dorë pushtetin në Shqipëri”.

Ngjarjet që rrodhën më vonë vërtetuan se nuk pati ndonjë bashkëpunim të rëndësishëm midis emigracionit politik shqiptar dhe qeverisë greke. Dyshimet, pakënaqësia dhe ftohtësia, ekzistuan për një periudhë të gjatë midis tyre. Nga burimet shqiptare dhe të huaja, rezulton se më pranë marrëveshjes me autoritetet greke ka qenë fraksioni ballist i drejtuar nga Ali Këlcyra. MPJ e Shqipërisë kishte informata se A.Këlcyra kishte pohuar në një mbledhje të grupit të tij, të zhvilluar në Banjoli, më 15 nëntor 1951, se kishte biseduar me autoritetet greke dhe me ato “vorio-epirote”, midis të cilëve edhe me Niko Milon, për dërgimin e diversantëve në Shqipëri. Ai u kishte kërkuar grekëve që ta ndihmonin në këtë aksion, por ata ishin treguar të rezervuar dhe i kishin kërkuar Këlcyrës që të bënte një deklaratë, në të cilën të pranonte aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia, gjë të cilën ai e kishte refuzuar. Diplomatët shqiptarë në Romë, duke u nisur nga fakti që, Këlcyra afrohej me organizatat “vorio-epirote” në Itali dhe në Amerikë, mendonin se ai ishte marrë vesh me grekët e me “vorio-epirotët”, por e fshihte këtë gjë para të tjerëve për të mos u kompromentuar. Ende nuk kemi në dorë burime, që të vërtetojnë saktësisht dhe konkretisht se deri ku arriti A.Këlcyra në tratativat e tij me grekët. Por arritjen e njëfarë progresi në bisedimet midis tij dhe grekëve e pranonte edhe ambasada amerikane në Athinë. Ndërsa ambasada amerikane në Romë pohonte se, Këlcyra kishte shpallur formimin e Bashkimit Demokratik Shqiptar, i cili synonte të bashkonte të gjitha grupet e emigracionit shqiptar, duke përfshirë Komitetin e Prizrenit dhe “refugjatët shqiptarë ortodoksë, që ishin vendosur në Greqi”.

Politika e KKSHL, gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së tij, vijoi të mbështetej në dy shtylla kryesore: në përpjekjet për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi komunist dhe në sigurimin dhe ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Për këtë arsye, KKSHL u bë një kundërshtar i vendosur i pretendimeve greke.

Përfaqësuesi i Komitetit, Nuçi Kota, u paraqiti zyrtarëve të Departamentit të Shtetit sërish shqetësimin për rrezikun grek. Ai u tha atyre se, për Shqipërinë “ekzistonte një rrezik potencial nga Jugosllavia, porse rreziku më i madh vinte nga Greqia, pasi ai ishte një kërcënim real dhe afatgjatë. Pretendimet greke do të mbesin dhe do të përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm, derisa ata të tërhiqen nga vetë grekët. Shqiptarët dëshirojnë të vendosin marrëdhënie të mira me grekët, por vetëm në kushtet kur grekët të heqin dorë nga pretendimi i tyre”.

Në fillim të vitit 1951, KKSHL vlerësoi se po dukeshin disa simptoma fillestare për një ndryshim të mundshëm të politikës greke. Në “Revue d`Athens” ishte botuar një artikull i Venizellos, i cili u interpretua si një sinjal, që paralajmëronte një drejtim të ri në qëndrimin e qeverisë greke ndaj Shqipërisë së Jugut. Venizellos shkruante se, Greqia, duke qenë “thellësisht paqedashëse, sinqerisht për një bashkëpunim ndërkombëtar, në kuptimin më të mirë të fjalës, nuk dëshiron të shtrojë çështje rivendikimesh, sado legjitime qofshin këto. Ajo ka vendosur të zhvillohet brenda caqeve të kufijve të saj”. KKSHL vendosi ta kapte këtë rast për t`u futur në bisedime me qeverinë greke. Për këtë qëllim, ai kërkoi ndërmjetësimin e Departamentit të Shtetit. Por, Departamenti i Shtetit, me anë të përfaqësuesit të tij, Campbell, u përgjigj se qeveria e SHBA-së nuk kishte marrë ende një pozicion në lidhje me pretendimet greke. Ajo vetëm kishte mbështetur, “me të drejtë”, grekët që ta parashtronin pretendimin në një mënyrë ligjore dhe ajo i referohet faktit se, pretendimi tani është i depozituar zyrtarisht në Këshillin e MPJ-së. Gjithashtu, Campbell i tha përfaqësuesit të KKSHL-së, N.Kotes se, Departamenti i Shtetit nuk kishte vërejtur ndonjë veprim ose deklaratë të qeverisë greke, e cila mund të tregonte një ndryshim në qëndrimin ndaj këtij problemi dhe shtoi se do të ishte me interes ndonjë ndryshim i pikëpamjes greke.

Pas venitjes së kësaj shprese, shtypi i emigracionit politik shqiptar filloi të bënte kritika të hapura për qeverinë greke, duke bërë edhe disa vlerësime interesante mbi historinë më të re të marrëdhënieve greko-shqiptare. U parashtrua teza se, refuzimi i qeverisë së Metaksait për të bashkëpunuar me shqiptarët në luftën kundër italianëve, të cilët ishin armiku i përbashkët, humbi shansin më të madh historik për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin e dy kombeve në të ardhmen. Me realizëm vihej në dukje se, shkaku kryesor i këtij refuzimi ishin pretendimet territoriale greke. Më tej shprehej opinioni i shqiptarëve antikomunistë e nacionalistë, se po të ishte shfrytëzuar ky rast, Greqia do të ishte lehtësuar shumë nga vuajtjet, që pësoi më vonë prej Rusisë Sovjetike dhe prej satelitëve të saj ballkanikë. Perdja e hekurt nuk do të ishte ngritur në kufirin greko-shqiptar dhe rebelët komunistë grekë nuk do të kishin mundur të gjenin asnjë mbështetje në Shqipëri. Bashkëpunimi i ngushtë midis popujve shqiptar dhe grek, do t`i kishte sjellë Greqisë një përfitim shumë më të madh dhe do t`i kishte krijuar një siguri shumë më të madhe se sa premtimet boshe të politikanëve shovinistë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›