E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krizë identiteti

01/03/2005  Italianët e shihnin dikur Spanjën, si kushërira e varfër. Sot, rolet janë përmbysur

Edhe moda Made in Italy ka ardhur duke u zbehur. Italia i përballonte dikur vështirësitë në eksport, duke zhvlerësuar lirën. Tani, ndërsa euro forcohet kundrejt dollarit, një numër gjithnjë e më i madh firmash dhe kombinatesh tekstilë po vendosin t’i prodhojnë më lirë produktet e tyre jashtë Italisë

Italianëve iu ngritën qimet përpjetë edhe në janar, kur udhëheqësit evropianë u mblodhën në Tuluzë, Francë, për të zbuluar krenarinë e re të aviacionit evropian, Airbus A380 – avioni më i madh për pasagjerë në botë. Gjithë mbështetësit kryesorë të projektit 10 miliardësh ishin: Gerhard Shrëder i Gjermanisë, Shirak i Francës, Toni Bler i Britanisë, Zapatero i Spanjës. Ku ishte Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni?

Të prekur, thellësisht të prekur. Si mund t’i nxehësh italianët sot? Thuaju që po humbin terren ndaj Spanjës në lotarinë e pushtetit evropian. Zhak Shirak e bëri këtë gabim disa javë më parë, kur la të kuptohet se Italia e ka humbur pozicionin e lokomotivës që udhëheq Evropën drejt shekullit 21. “Fatkeqësisht, Italia po ndahet nga bërthama që udhëheq Evropën”, i tha Presidenti francez, ish-kreut të Komisionit Evropian, Romano Prodi, duke shtuar se Spanja ia ka zënë vendin. Mos!

Italianëve iu ngritën qimet përpjetë edhe në janar, kur udhëheqësit evropianë u mblodhën në Tuluzë, Francë, për të zbuluar krenarinë e re të aviacionit evropian, Airbus A380 – avioni më i madh për pasagjerë në botë. Gjithë mbështetësit kryesorë të projektit 10 miliardësh ishin: Gerhard Shrëder i Gjermanisë, Shirak i Francës, Toni Bler i Britanisë, Zapatero i Spanjës. Ku ishte Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni? "Corriere della Sera", në Milano, shkruante se Spanja ia kishte zënë vendin Italisë në Treshen e Madhe në qendër të skenës evropiane.

Shirak dhe botuesit e Corrieres nuk janë të vetëm. Sipas një vëzhgimi të fundit, paraqitur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, italianët janë më pesimistë në lidhje me të ardhmen sesa qytetarët në çdo vend tjetër. Italia jo vetëm që ka humbur, thonë ata, por ç’është më e keqja ka humbur edhe kundrejt rivalëve mesdhetarë, Spanjës. Ndërsa Italia ka kaluar një stanjacion dekadën e fundit, ekonomia e Spanjës është rritur. Ka krijuar 4.5 milionë vende të reja pune dhe po rritet me një shifër dy herë më të lartë se mesatarja e Evropës. Varfëria, që po bie në Spanjë, është rritur në Itali, ku industritë e mëdha si ajo e makinave dhe filmit kanë ngecur. Edhe la dolce vita nuk është më aq e ëmbël sa ka qenë. “Në vend që të shohë nga e ardhmja, Italia sheh nga e shkuara, duke u ankuar”, thotë Alberto Marini, një skenarist, që la Italinë për të punuar në Barcelonë.

Progresi yjor i Spanjës e ka bërë edhe më sikletosëse rënien e Italisë. Saragoza mundi Triesten e Italisë në garën për të organizuar Ekspozitën Botërore 2008. Valencia fitoi garën me Napolin për të organizuar America’s Cup, në 2007. Gjëra këto që po nxisin një kompleks inferioriteti, të stilit italian. “Dikur i shihnim spanjollët si kushërinjtë tanë të varfër”, thpotë Mauricio Belpietro, botues i "Il Giornale". “Sot nuk është më kështu”. Ose dëgjoni arkitektin italian, Alessandro Scarnato, që kalon një pjesë të mirë të kohës në Barcelonë: “Ata janë latinë, por kanë diçka që ne nuk e kemi”.

Për këtë diçka, italianët kanë një emër: dinamismo. Quajeni gjallëri, pica, apo bollëk i dukshëm qytetar. Sido që të jetë, Spanja e ka dhe kontrasti nuk mund të jetë më i dukshëm se kaq. Një vizitor në Romë nuk ka nevojë të njohë të dhënat më të fundit ekonomike për të ndierë dhimbjen e Italisë. Turistët shohin monumente të shkëlqyer të së kaluarës, dyqanet e shtëpive të mëdha të modës, kafenetë të mbushura me romanë elegantë, që rrufisin kapuçino apo aperitivë. Por, po këta romanë i ka zënë paniku. Fuqia e tyre blerëse ra kur lira italiane u zëvendësua me euron në 2002, dhe rrogat e tyre, shumë prej të cilave tashmë të ngrira, nuk e kanë marrë veten.

Jo shumë kohë më parë, rolet qenë të ndryshëm. Italia e pasluftës ishte kushërira e pasur e Spanjës, që vetëtransformohej nga një vend i pazhvilluar kryesisht bujqësor në një ekonomi moderne të industrializuar. Ajo ishte një prej themelueseve në 1958 të organizatës, që më vonë u bë Bashkimi Evropian dhe shumë shpejt ia doli të bëhet, siç thoshte ambasadori amerikan në Romë, në vitin 1981, “një vend i varfër plot me njerëz të pasur”. Spanja nuk u bë një vend modern demokratik deri një brez më parë, pas afro katër dekadash në udhëheqjen e Francisco Francos, dhe nuk ishte lejuar në BE deri në 1986.

Që atëherë, Spanja është rinuar dhe mbushur me energji përmes një transformimi ekonomik dhe social – për të mos përmendur disa stimuj financiarë nga BE, që ende përbëjnë afro 1% të DP. Dhjetë vjet më parë, pjesa e Italisë në eksportet botërorë ishte 4.5 për qind. Deri në 2003 kishte rënë në 3.3%. Italia mund të jetë më e madhe se Spanja (58 milionë banorë, kundrejt 40 milionë) dhe mund të ketë një ekonomi më të madhe, por ajo qëndron mbrapa për sa i përket rritjes ekonomike.

Edhe moda Made in Italy ka ardhur duke u zbehur. Italia i përballonte dikur vështirësitë në eksport, duke zhvlerësuar lirën. Tani, ndërsa euro forcohet kundrejt dollarit, një numër gjithnjë e më i madh firmash dhe kombinatesh tekstilë po vendosin t’i prodhojnë më lirë produktet e tyre jashtë Italisë. (Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë në industrinë italiane të vajit të ullirit. Pjesa më e madhe e vajit të ullirit me etiketë italiane është spanjoll). Shumë prej firmave italiane të veshjeve nuk janë treguar aq të mençme sa konkurrueset e tyre spanjolle. Inditexi i regjistruar në Madrid – që përfshin të famshmen Zara dhe që hap çdo ditë një dyqan në botë – kohët e fundit pati një 39% rritje në fitimet. Ekuivalenti italian, Grupi Benetton, është zhvendosur në sektorë më të mbrojtur si autostrada e telekom dhe po shqyrton mundësinë e shitjes së sektorit të veshjeve, fitimet e të cilit po mbahen në nivele të ulët për shkak të Zaras.

Industritë bankare dhe telefonisë shfaqin dobësitë italiane dhe pikat e forta spanjolle. Gjuha ka qenë një avantazh i madh për Spanjën, e cila ka përdorur lidhjet gjuhësore për të nisur një ripushtim ekonomik të Amerikave, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine. Pjesërisht për shkak të kësaj, Banco Santander Central Hispano dhe BBVA janë sot prej më të mëdhajave në Evropë. Mes kompanive të telefonisë, Telefonica spanjolle është kthyer në monstrën europiane.

Italia ka një histori kinemaje më të lavdishme. Por ky është problemi: historia e saj. Edhe një herë mbizotërimi i spanjishtfolësve – 400 milionë në të gjithë botën – ndihmon për të shpjeguar suksesin spanjoll. Italia fitoi për herë të fundit një Oscar në 1998 me “Jeta është e bukur” të Roberto Benignit. Që atëherë, Spanja ka fituar dy dhe filmi i regjisorit spanjoll, Alejandro Amewnabar “Deti brenda”, ishte kandidat për një të tretë. Sa i takon filmave, suksesi i Italisë ishte dy herë sa ai i Spanjës para një dekade; kohët e fundit Spanja ia ka kaluar. Po bëhet gjithnjë e më e rrallë që filmat italianë të luhen në kinema spanjolle. Ndërkohë që, edhe një film jo shumë i shquar, “Edukimi i keq” i Pedro Almnodovar, që flet për impaktin e abuzimit seksual me fëmijët nga një klerik, ishte një prej filmave më të suksesshëm nga pikëpamja financiare vitin e kaluar në Itali. Duke marrë çmimin italian për filmin e huaj, Cinta di oro, Almodovar tha se “Italia është më bujare ndaj filmave të tij sesa toka mëmë”. Kjo ndoshta mund të vijë pjesërisht për shkak të cilësisë jofrymëzuese të vetë filmave italianë. Kinemaja italiane, thotë skenaristi Marini, “vijon të nxjerrë komedi me të njëjtët aktorë, duke riprodhuar të njëjtat gjëra dhe bërë sikur janë të reja”.

Politika? Spanja ka qenë një model i stabilitetit politik dhe qeverisjes së mirë. Italia, në të kundërt është shakaja e përhershme. Tradita e qeverive jetëshkurtra i ka lënë rrugë diçkaje më të keqe. Jashtë saj, tre vjet e gjysmë opera buffa nën Silvio Berluskonin ka ulur vlerat e Italisë në sytë e fqinjëve. Në shtëpi, besimi i popullit te qeveria ka rënë shumë.

Ndoshta ditët me diell mund të rikthehen për Italinë. Në fund të fundit, historia ecën me cikle. Megjithatë, është e vështirë të mos ndiesh se Italia ka rënë në hijen e Spanjës. Dhe sikur përe të përforcuar këtë, Juventusi u mund nga Reali i Madridit në ndeshjen e javës së kaluar në Champions League. Dhe ndërkohë që Parlamenti italian ngurron në lidhje me një paketë stimuluese ekonomike aq shumë të nevojshme, spanjollët po shqyrtojnë mundësinë e heqjes së pushimit tradicional të gjatë në drekë, me qëllim rritjen e produktivitetit të ditës së punës. Kjo po, është shenjë e kohës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›