E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lorik Cana, “viktimë” e racizmit

01/03/2005  Mesfushori i Kombëtares është ofenduar të shtunën në darkë, nga trajneri i Bastias: “shqiptar i m…”

Kësaj radhe, racizmi është shfaqur edhe ndaj lojtarëve të bardhë. Viktima e radhës, e këtij fenomeni të shëmtuar ka qenë mesfushori i Kombëtares kuqezi. Sipas gazetës franceze “Le Parisien”, Lorik Cana është ofenduar të shtunën në darkë, nga trajneri i Bastias, Fransua Çikolini, me shprehjen e rëndë “shqiptar i m…”. “Në minutën e 78-të të ndeshjes, Paris SG-Bastia, Cana dëmtohet, ndërsa ndërhyn rëndë ndaj Konombos dhe merr karton të verdhë, shkruan gazeta në fjalë, ndërsa mesfushori del jashtë, për t’u mjekuar, trajneri i korsikanëve, Çikolini, e shan “shqiptar i m…”. Mesfushori i Paris SG, në atë moment nuk reagoi, por rasti i erdhi 3 minuta më vonë, kur ai u zëvendësua nga Mendy. Cana iu përgjigj ashpër trajnerit të Bastijës, kur doli nga fusha dhe një nga punonjësit e stadiumit ndërhyri që kjo grindje të mos bëhej fizike. Laurent Fournier, trajneri i skuadrës pariziene e mori lojtarin për krahu, duke e shoqëruar për në dhomat e zhveshjes, i shoqëruar edhe nga presidenti i skuadrës, Graje. “Pasioni doli më i fortë sesa arsyeja dhe unë u nxitova pak”, tha Lorik Cana më pas. Ndërsa, trajneri i Bastijës u përpoq që të përligjte veprimin e tij, duke thënë se nuk kishte përdorur shprehje me karakter racist. “Shprehja që përdora unë ishte ofenduese, kjo është e vërtetë, por jo raciste”, u shpreh ai për gazetën franceze. Edhe presidenti i skuadrës vendase Bastias, Marsel Bernashi, përpiqet që të mbrojë trajnerin e tij duke thënë: “Është një ofendim, por jo sharje raciste. Unë punoj prej shumë kohësh me Çikolinin dhe ju siguroj se ai nuk është racist. Ai ka punuar për shumë kohë dhe fare mirë me lojtarët afrikanë në klubin tonë.” Por, futbollisti i Paris SG, Zherome Rothen, ish-lojtar i Monakos nuk është dakord. “Ky është një skandal i

vërtetë”, shprehet ai. Edhe futbollisti tjetër i Paris SG, Selim Benanshur, është në një mendje me shokun e tij të skuadrës. “Është diçka serioze, tha ai. Loriku është shumë i prekur dhe i mërzitur. Fjalët që u thanë nuk mund të hidhen poshtë. Unë kurrë nuk e kam parë Lorikun në atë gjendje”. Ndërsa, presidenti i Paris SG, Graje, thotë nga ana e tij: “Nëse fjalë të tilla do të ishin thënë nga një trajner parizien, unë as nuk mund ta imagjinoja reagimin e botës së futbollit. Në të gjitha vendet evropiane po bëhet luftë kundër racizmit”. Përfaqësuesi i Federatës Franceze të Futbollit, në atë ndeshje u shpreh se: “Mund të them se ka pasur shkëmbim fjalësh, që janë shkruar në raportin e ndeshjes. Por nuk mund të flas më shumë se kaq”. Ky problem do të shtrohet në Komisionin e Disiplinës, këtë javë, që drejtohet nga Zhak Rjolaki. Shqyrtimi i çështjes do nisë që sot. “Le Parisien” kujton se ish-trajneri i PSG, Halilhoxhiç u pezullua 2 muaj sepse u soll keq me gjyqtarin me ngjyrë, Alan Sars, por pa i thënë asnjë fjalë raciste. Pier Marat, avokat i MRAP (Lëvizja kundër racizmit dhe për miqësinë mes njerëzve) deklaroi se: “Për raste të tilla ka gjoba nga 10 deri në 15 mijë franga dhe në raste të rralla edhe burg”. Sipas gazetës pariziene, edhe publiku vendas ka treguar shenja racizmi, duke sharë dy nga lojtarët me ngjyrë të Bastijës me fjalët “zezakë të kripur, shkoni në shtëpi”. E njëjta gjë është përsëritur edhe më parë, pas një humbjeje 0-3 në shtëpi ngaSt.Etienne. Me sa duket racizmi ka filluar të bëhet një fenomen shqetësues në futbollin europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›