E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sharoni kërcënon

01/03/2005  Kryeministri izraelit thotë se do të ndalë procesin e paqes

“Nuk do të ketë asnjë progres, politikisht, e përsëris asnjë progres politik, deri sa palestinezët të kryejnë një fushatë të vendosur për të shkatërruar grupet terroriste dhe infrastrukturën e tyre”, tha Sharon. Ai paralajmëroi që, nëse kjo nuk ndodh, “Izraelit do t’i duhet të rrisë veprimtarinë ushtarake për të mbrojtur qytetarët e vet”

“Nëse Izraeli vendosë të ndërpresë kontaktet me palestinezët, ky do të jetë vendimi i tij dhe ne nuk do të qajmë”, u tha Qureia gazetarëve. “Por, ne themi se ekziston një mundësi e nisur në Sharm el Sheik dhe ne duam ta çojmë më tej atë

Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, kërcënoi të dielën me ngrirje të përpjekjeve për paqe, nëse udhëheqja palestineze nuk vë nën kontroll grupet militante pas shpërthimit të kamikazit në Tel Aviv në fundjavë, që shkaktoi vrasjen e 5 izraelitëve.

Në një mbledhje të kabinetit, Izraeli vendosi të pezullojë planin për dorëzimin e pesë qyteteve në Bregun Perëndimor te palestinezët dhe liruar 400 të burgosur të tjerë. Këto vendime ishin marrë gjatë takimit më 8 shkurt në Egjipt, ku Sharon dhe udhëheqësi palestinez, Mahmud Abas, shpallën marrëveshjen.

Sulmi dhe masat e marra nga Izraeli theksuan brishtësinë e marrëveshjes dhe dobësinë e saj ndaj dhunës që ushtrojnë ekstremistët, që janë kundër çdo ujdie. Menjëherë u shfaq rreziku i një zinxhiri tashmë të njohur ngjarjesh: marrëveshje, sulm palestinez, kundërpërgjigje izraelite, tjetër sulm palestinez – dhe më pas, fundi i marrëveshjes dhe riciklim i dhunës.

Katër prej atyre, që mbetën të vdekur të premten, ishin në një festë surprizë ditëlindjeje. Një grua izraelite, viktima e pestë, vdiq në spital të hënën, për shkak të plagëve të marra gjatë shpërthimit të bombës. Numri i izraelitëve të vrarë, në 119 shpërthime kamikazesh palestinezë, gjatë katër viteve të fundit arriti në 500.

Sharon akuzoi se pas kamikazit të së premtes qëndronte Siria. Nga ana e saj, kjo e fundit hodhi poshtë akuzën. Xhihadi Islamik, një grup militant palestinez, udhëheqja e të cilit është në Siri dhe Liban, mori përsipër atentatin të shtunën.

Në fillim të takimit të përjavshëm të kabinetit, Sharon tha se Xhihadi Islamik kreu atentatin pas urdhrave të marra nga liderët e vet në Siri, ndonëse konsideroi përgjegjës edhe Autoritetin Palestinez.

“Nuk do të ketë asnjë progres, politikisht, e përsëris asnjë progres politik, deri sa palestinezët të kryejnë një fushatë të vendosur për të shkatërruar grupet terroriste dhe infrastrukturën e tyre”, tha Sharon. Ai paralajmëroi se, nëse kjo nuk ndodh, “Izraelit do t’i duhet të rrisë veprimtarinë ushtarake për të mbrojtur qytetarët e vet”.

Një zyrtar i lartë ushtarak tha se Izraeli nuk do të kundërgodiste, për shak të atentatit. Shefi i sigurisë të Shin Bet, Avi Dihter, tha se politika, që do të ndjekë Izraeli tani është të ushtrojë trysni mbi Abazin që të shtypë grupet e dhunshëm.

Sharon i tha Sekretares amerikane të Shtetit, Condi Rice, se, nëse Abas vazhdon të kërkojë që të kontrollojë militantët, përmes përpjekjeve për t’i bundur, “terrorizmi do të vazhdojë... dhe Izraeli nuk mund ta pranojë këtë”.

Ata zhvilluan një bisedë, kur Rice telefonoi për të ngushëlluar në lidhje me bombën. Sharon tha se bisedimet për planin amerikan të paqes, "Road Map”, nuk do të vazhdojnë deri kur të jenë ndërmarrë hapa konkretë kundër terrorizmit. Kryeministri palestinez, Ahmed Qureia, nuk pranoi të komentojë deklaratat e Sharonit.

“Nëse Izraeli vendosë të ndërpresë kontaktet me palestinezët, ky do të jetë vendimi i tij dhe ne nuk do të qajmë”, u tha Qureia gazetarëve. “Por ne themi se ekziston një mundësi e nisur në Sharm el Sheik dhe ne duam ta çojmë më tej atë”, tha ai, duke iu referuar samitit, ku u shpall marrëveshja. Marrëdhëniet mes Izraelit dhe palestinezëve janë ngrohur në mënyrë të konsiderueshme që nga zgjedhja e Abasit muajin e kaluar.

Abas ka dërguar forca palestineze të sigurisë përgjatë të gjithë Rripit të Gazës për të parandaluar militantët që të lëshojnë predha kundër Izraelit dhe ka bërë një marrëveshje të përkohshme me grupet militare, që të ndalin sulmet. Në përgjigje të kësaj, Izraeli liroi 500 të burgosur palestinezë, premtoi të ndalë vrasjet e liderëve militantë dhe pranoi të dorëzojë kontrollin e pesë qyteteve në Bregun Perëndimor.

As sulmit të së premtes, Izraeli ngriu këta plane, sepse nuk beson më që forcat palestineze të sigurisë janë në gjendje të kontrollojnë këto qytete – një vendim ky i kritikuar nga Qureia.

Izraeli pezulloi gjithashtu lirimin e 400 të burgosurve të tjerë, duke shtuar se lirimi i tyre varej nga lëvizjt e palestinezëve për të ndalur dhunën.

Çështja e të burgosurve është shumë e nxehtë dhe emotive për palestinezët, që mund ta gjykojnë punën e Abasit nga aftësia e tij për të fituar lirinë e tyre. Megjithatë, Izraeli refuzoi të lirojë të burgosur të përfshirë drejtpërdrejt në akte dhune.

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Faruk al Sharaa, mohoi akuzat që vendi i tij ka gisht në sulm. Zëvendëspresidenti Simon Perez tha se Presidenti sirian, Bashar Assad, ishte përgjegjës, sepse urdhrat erdhën nga vendi i tij.

“Tani ai duhet të vendosë se cilës botë i përket – botës së terrorizmit, apo botës që lufton terrorizmin”, tha Peres për Radion e Ushtrisë. Izraeli dhe SHBA i kanë kërkuar Sirisë të mbylë zyrat e grupeve militante palestineze dhe t’i japë fund ndihmës për organizatat militante.

Zyrtarë ushtarakë izraelitë thanë të dielën se një muaj më parë morën informacione për një plan për bombë, të cilat ia kaluan Autoritetit Palestinez, që nuk bëri asgjë.

Mes viktimave të bombës së të premtes ishte 28-vjeçarja Yael Orbach, e cila po shpërndante ftesat e martesës, bashkë me të fejuarin kur shëprtheu bomba. “Ajo po martohej me njeriun e zemrës. Ishte një njeri plot jetë, një shpirt i mirë, gjithmonë e gatshme për të dhënë ndihmë”, tha e ëma për Haaretz.

Do të provojmë fajin e Damaskut

Izraeli është përpjekur t’u shpjegojë diplomatëve perëndimorë përse beson që Siria ishte përgjegjëse për bombën vetëvrasëse të së premtes në Tel Aviv, që shkaktoi vdekjen e 4 vetëve. Ministri i Jashtëm, Silvain Shalom, është takuar me ambasadorët dje, ku burimet thanë se ka paraqitur prova të shërbimit të zbulimit të ushtrisë, në lidhje me përfshirjen e Sirisë. Kryeministri Ariel Sharon tha se palestinezët duhet të ndalin militantët.

Ministria e Jashtme e Izraelit bëri të ditur dje se Shalom kishte mbledhur në takimin e djeshëm ambasadorë nga Bashkimi Evropian si dhe shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB.

Lëvizja vjen, pasi zyrtarët izraelitë të sigurimit thanë të shtunën se qeveria do të nisë përpjekjet diplomatike, me qëllimin për të bindur Këshillin e Sigurimit që të dënojë Sirinë për bombën. Por ndërkohë, ministri i Jashtëm sirian hodhi poshtë këto akuza. Ai tha se janë të pabaza dhe shtoi se nuk përjashtonte që të ishin edhe izraelitë elementët që mund të kenë gisht në atentat.

“Fundi i qetësisë”

Izraeli ka shpallur tashmë ngrirjen e planeve për dorëzimin e pesë qyteteve në Bregun Perëndimor, gjë që u premtua pas takimit të 8 shkurtit në Egjipt. Duke pranuar përgjegjësinë për sulmin me bombë në Tel Aviv, një zyrtar i Xhihadit Islamik në Damask u tha agjencive të lajmeve se bomba u vu në shenjë hakmarrjeje për shkeljen që Izraeli i ka bërë marrëveshjes. “Periudha e qetësisë me Autoritetin Palestinez ishte një marrëveshje për vetëm një muaj, e cila ka mbaruar”, tha zyrtari, i cili shtoi se quhej Abu Tarek. Anëtarë të Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor dhe Beirut përforcuan autorësinë, ndërkohë që udhëheqja e grupit në Gaza vazhdoi të mohojë çdo lloj përgjegjësia, duke lënë të kuptohet për një ndarje mes tyre. Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë Sekretaren amerikane të Shtetit, Condi Rice, po përgatiten për një konferencë në Londër sot, për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e reformave palestineze, si edhe ecurinë e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›