E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Kosa

Kush ia prish drejtorit ekzekutiv të QKU`së Ali Sadriu, suspendohet ose largohet automatikisht nga puna!

Sadriu pak ditë më parë ka suspenduar e larguar nga puna katër zyrtarë të lartë të Qendrës Klinike Universitare.

Së fundi drejtori ai ka larguar edhe Dr. Hasan Ahmeti, ndihmës drejtori për çështje mjekësore në këtë qendër.

Zyrtarë të tjerë të larguar janë edhe Dr. Bislim Bislimi, specialist i bikomisë në Qendrën Diagnostike, Shaban Tërnava, kryeteknik i Institutit të Biokimisë si dhe Rexhep Reçica kryelaborant i mjekësisë nukleare.

Këta tre zyrtarë të lartë të QKU, sipas burimeve të gazetës, janë suspenduar nga puna me pagesë për shkak se, siç thuhet, kanë bërë shkelje disiplinore.

Gazeta ka mësuar se gjithçka ka nisur për suspendimin e këtyre mjekëve të QKU, pas një donacioni që ka dhënë KFOR gjerman e që këta zyrtarë dyshohet se në një prononcim për mediet e shkruara kanë deklaruar se donacion i dhuruar me barna ka qenë me afat të skaduar.

“Për shkak të nevojës së përfundimit të procedurave për sigurimin e provave sa më komplete mbi shkeljen e supozuar të informatave të pasakta rreth pranimit të një donacioni me barna nga KFOR gjerman me afat të skaduar”, thuhet në vendimin që i është lëshuar Rexhep Reçicës, thotë një burim i gazetës.

Për të njëjtën arsye janë suspenduar edhe zyrtari Shaban Tërnava dhe Bislim Bislimi.

“Arsyeja për suspendim është konsideruar për të mirën e QKU, ju nuk duhet të vijoni punën derisa procedura mbi shkeljen e supozuar të jetë kompletuar. Po ashtu ju nuk duhet të vizitoni asnjë lokal të QKU gjatë kohës së suspendimit, përveç nëse keni nevojë për ndihmë mjekësore”, thuhet në vendimin për suspendim.

Të tre këta zyrtarë të lartë të Qendrës Klinike Universitare kanë bërë ankesat e tyre në Komisionin për Ankesa pranë QKU brenda afatit të përcaktuar me ligj.

“ Kemi bërë ankesat tona dhe presim një përgjigje pozitive”, ka thënë njëri nga të suspenduarit, pa dashur t`i përmendet emri.

Përderisa këta tre të suspenduarit me pagesë përkohësisht kanë bërë ankesa dhe kanë gjasë që sërish të kthehen në vendet e tyre të punës , Dr. Hasan Ahmeti është larguar përfundimisht nga pozita e ndihmësdrejtorit mjekësor të QKU`së.

Gazeta ka mësuar se largimi i tij ka ardhur pas një zënke dhe mospajtimeve që kanë pasur ai dhe drejtori i QKU, Ali Sadriu.

“Pas një debati të ashpër mes tij dhe Dr. Ahmetit, drejtori ekzekutiv ka marrë vendim për largimin e tij”, thotë një burim nga QKU`ja.

Hasan Ahmeti ishte emëruar ndihmësdrejtor i QKU më 25 janar të këtij viti.

“Shfuqizohet vendimi nr 829 i datës 25 janar 2010, me të cilin Prof. dr. Hasan Ahmeti ka qenë i caktuar ndihmësdrejtor për çështje mjekësore në QKU”, thuhet në vendimin e Sadriut.

Askush nga zyra për informim e QKU nuk ka qenë në gjendje të flasë për suspendimin e tre zyrtarëve si dhe ndihmësdrejtorit.

Express ka dy ditë që ka dërguar pyetjet në e-mail zyrtare të zyrës për informim, por asnjë përgjigje nuk është kthyer nga zyrtarët e kësaj zyreje.

Kjo nuk është hera e parë që drejtori ekzekutiv suspendon nga puna punonjës të QKU`së. Ai edhe para disa muajsh ka suspenduar katër zyrtarë të tjerë me gjithë rekomandimet e Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës se një gjë e tillë ka qenë e kundërligjshme.

Jep dorëheqje Muharrem Bajrami
Drejtori për çështje mësimore në QKU, Profesor Muharrem Bajrami ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë të enjten rreth orës 15 00. Express ka mësuar se ai dorëheqjen ia ka ofruar drejtorisë ekzekutive. “I pakënaqur me punët që po ecin në QKU dhe me zhvillimet e fundit pas disa shkarkimeve që janë bërë në drejtorinë ekzekutive, ai ka ofruar dorëheqje”, thotë një burim nga QKU`ja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›