Ali Mula vlerësohet "Mjeshtër i Madh"
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje me Urdhrin "Mjeshtër i Madh" rapsodin Ali Mula me motivacionin: "Mjeshtrit të talentuar, që me pasion dhe dashuri të rrallë ju përkushtua hulumtimit, mbledhjes, studimit dhe transmetimit tek brezat e artistëve, të trashëgimisë folklorike të trevës së Tropojës, Malësisë së Gjakovës, si pjesë e thesarit të vyer të vlerave kombëtare". Rapsodi, mes emocioneve, falënderoi Presidentin Topi duke thënë se "ky nderim i madh që më bëni ju sot, nuk është vetëm i imi, është i gjithë miqve dhe shokëve të mi artistë, me të cilët bashkëpunova në jetë edhe mendoj se do të vazhdoj edhe pak. Ky nderim i përket popullit të Tropojës". Në përfundim të ceremonisë, ansambli "Dardania" i Tropojës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve dhanë një shfaqje artistike të një repertori folkloristik të përzgjedhur, kryesisht krijimtari të rapsodit Ali Mula.