E Diel, 1 Nëntor 2026

Alia: Ju tregoj si u arrestua Nexhmije Hoxha

 

"Me cilësinë e Presidentit e kam kundërshtuar kërkesën për arrestimin e Nexhmije Hoxhës..." Kështu është shprehur ish-Presidenti Ramiz Alia në një reagim për revistën "MAPO", në përgjigje të disa akuzave të bëra kohët e fundit nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Sipas Alisë, akuzat e lëshuara kanë lidhje me zgjedhjet e ardhshme të qershorit, ndërsa autori i tyre synon të bëjë për vete votuesit. "Por këto janë shpresa të kota, sepse shqiptarët e njohin tashmë Sali Berishën. Njohin bëmat e tij të viteve '90-të kur ai ishte president, që përfundoi me 2500 të vrarë dhe me vjedhjen e pasurisë së qytetarëve të varfër me anën e të ashtuquajturave 'piramida', të cilat në intervistën dhënë një gazete kosovare, përpiqet t'ua faturojë serbëve", përgjigjet Alia, që shkoqit se, sipas tij, kryeministri nuk i ka punët mirë për shkak se "të paktën dy gjëra nuk mund të harrohen": Gërdeci me të vrarët, të plagosurit e shkatërrimet e tij dhe mega-korrupsioni i përqendruar në rrugën Durrës-Kukës". Po kështu, Alia sqaron hollësisht edhe akuzën e parë të Berishës, sipas së cilës ai ka futur në burg Nexhmije Hoxhën, të venë e Enver Hoxhës. Duke e nisur me një hyrje shpjeguese, Alia thotë se, "nuk i intereson të njohë shkaqet e vërteta dhe arsyet përse Sali Berisha ndihet i shqetësuar nga personi i tij". "Në çdo rast jam i qetë e gjakftohtë, sidomos kur kam të bëj me shpifje e gënjeshtra. Në fillim Berisha më akuzoi se paskam arrestuar Nexhmije Hoxhën, në një kohë që gjithë shqiptarët e dinë se futja në burg e saj ishte kërkesë e ultimatumit që Berisha i bëri (në dhjetor 1991) Qeverisë së Stabilitetit. Dhe pasi kjo kërkesë u kundërshtua nga presidenti i kohës, pra nga unë, dhe nuk gjeti mbështetje në Parlament, Berisha me njerëzit e tij detyroi ish-Prokurorin e Përgjithshëm të lëshojë fletë-arrestin", shpjegon Alia këtë moment të akuzave. 
Një tjetër argument që Alia shpjegon gjatë ka lidhje me akuzat e Berishës për Kosovën dhe pikërisht me momentin kur Kryeministri aktual e akuzon ish-Presidentin Alia se ka dashur të vrasë Ibrahim Rugovën dhe atë vetë në Tiranë. Sipas Alisë, "zoti Berisha shpalli se Ramiz Alia, as më shumë e as më pak, paska dashur të vrasë në vitin 1991 Sali Berishën dhe Ibrahim Rugovën, 'sepse kishin sharë E. Hoxhën'!? Çfarë të thuash për këto përralla, për këto trillime që janë fund e krye stisje pa asnjë bazë? Çfarë të thuash për faktin e thjeshtë, se, siç vepron rëndom në aktivitetin e tij të përditshëm, ky kryeministër akuzon kaq hapur dhe rëndë ish-presidentin e vendit të tij, pa dhënë asnjë provë, apo fakt?! Çfarë të thuash gjithashtu edhe për deklaratën e vetë zotit Rugova, se 'ndër të gjithë udhëheqësit shqiptarë, Ramiz Alia është ai që ka bërë më shumë për Kosovën'?"
Sipas reagimit të Alisë, edhe akuzat e tjera të Berishës në drejtim të Enver Hoxhës dhe shtetit të mëparshëm shqiptar, që sipas kryeministrit "nuk e kanë dashur Kosovën", nuk qëndrojnë. "Siç duket, tani ai (Berisha) kërkon edhe përkrahjen e kosovarëve. Intervista e tij është e mbushur me shpifje kundër shtetit të mëparshëm shqiptar, kundër Enver Hoxhës, se gjoja ata e paskan braktisur Kosovën dhe ç'është më e keqja, 'ata kurrë nuk kanë dashur që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur, Republikë më vete'. Shikoni!? Doli Berisha i vitit 2009, që t'i bindë kosovarët se Enver Hoxha nuk e ka dashur Kosovën dhe lirinë e saj!?", thotë ish-presidenti Alia. Po sipas Ramiz Alisë, në të kundërt, kosovarët e njohin ndryshe Sali Berishën: "Kush ishte ai që lejoi kontrabandën e naftës në vitet '90, duke shkelur embargon ndërkombëtare, me të cilën ushqehej ushtria serbe për të vrarë kosovarët? A nuk ishte Sali Berisha ai që kundërshtoi kompromisin e Rambujesë, që shënoi parathënien e bombardimeve të NATO-s mbi Beograd dhe fitoren e pavarësisë së Kosovës, ndërsa pjesëmarrësit e saj shqiptarë (Rugovën e Thaçin me shokë) i damkosi si tradhtarë? Kujtoj se zoti Berisha e quajti UÇK-në "grup terrorist", ashtu siç e quanin serbët. Ndërsa tani na thotë se shtëpia e tij paska qenë "depo armësh për UÇK-në"!
Duke qëndruar në këtë argument, Alia shpjegon se ai vetë me t'u çliruar Shqipëria nga pushtuesit fashistë, në fillim të muajit dhjetor 1944, ka shkuar me Divizionin e Pestë të ushtrisë NÇL shqiptare për të ndihmuar kosovarë që të fitojnë lirinë. "Kurse ti zoti Berisha, 50 vjet më vonë, vetëm për interesa personale i hape rrugë kontrabandës dhe furnizimit me naftë të Millosheviçit, për të vrarë kosovarët që luftonin për liri", reagon tekstualisht Alia. Dhe në fund edhe një silurë për fenomenin Fazlliç: "Së fundi, dëshiroj të pyes se kush ishte ai që ia hapi dyert e shtëpisë së vet një farë Fazlliçi, që jo vetëm dëmton interesat e Shqipërisë, por luan edhe në emër të interesave të qarta serbe në këtë pjesë të Ballkanit?"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›