E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikomunistët e Evropës mblidhen në Tiranë

 

Aspak të gërvishtur nga jehonat ceremoniale të sheshit "Skënderbej" që përshëndesin hyrjen zyrtare të Shqipërisë në NATO, një trumbë burrash e grash, kryesisht në moshë të thyer, ndjekin me përpikmëri llogaritë e tyre në një ambient komod të "Hotel Tirana". Janë përfaqësues nga një numër vendesh evropiane që kanë pasur lidhje me sistemin komunist, që nga Çeçenia e largët deri në Gjermaninë, tashmë të bashkuar. Ndërsa qëllimi i takimit është të mbajnë të gjallë antikomunizmin, saktësisht të këmbejnë përvojën për të arritur këtë qëllim. Protagonistët, që janë pjesëmarrës të Kongresit të 17-të të Shoqatës Internacionale të ish të burgosurve dhe viktimave të komunizmit, i ka bashkuar një qëllim: të vazhdojmë të punojmë fort me qëllim që krimet e komunizmit të mos përsëriten më kurrë. Pikërisht këtë qëllim universal konfirmon edhe presidenti i Shoqatës, kroati Jure Knezoviç përgjatë një kontakti me gazetën. "Qëllimi i takimit tonë të përvitshëm është t'u mësojmë të tjerëve se si të përpunojnë të dhënat, ngjarjet, informacionet nga koha e regjimeve totalitare. Ndërsa qëllimi kryesor është që këto regjime të mos vijnë më kurrë në pushtet dhe krimet të mos përsëriten", thotë kroati. Ndërsa një delegate gjermane, Dr. Anna Kaminsky, edhe kjo e kontaktuar nga gazeta, pohoi se takimet janë të rëndësishme që të mos harrohet e shkuara. "Shoqata jonë shërben edhe për të këmbyer përvoja. Nëse bëhet diçka pozitive në një vend, kjo të kalojë edhe në vende të tjera", tha Kaminsky. Një tjetër delegat nga Gjermania, Rainer Vagner, klerik, përsërit edhe ai nevojën e madhe për të mos harruar të shkuarën. Ndërsa kur rrëfen historinë e vet, sqaron se ka qenë antikomunist që në moshën 12-vjeçare, kur në shkollë refuzoi të nënshkruante një deklaratë që të mos shihnin programet e televizioneve të huaja. Nga ana tjetër, Anna Kaminsky, duke rrëfyer historinë e vet të ndarjes së prindërve, për shkak të ndarjes së dikurshme të Gjermanisë, argumentoi se sistemi komunist ishte antihuman, edhe për faktin se të diktonte se çfarë hapësire duhet të kishe në jetën private. "Komunizmi të martonte me atë që donte ai, të jepte për të ngrënë çfarë donte ai, për të studiuar... pra kontrollonte gjithë jetën tënde, prandaj ishte një sistem antihuman", argumentoi Kaminsky. Nga ana tjetër, presidenti nga Kroacia, Jure Knezoviç, pohoi se kishte të dhëna të mira për historinë e komunizmit në Kosovë, por edhe në Shqipëri. "Kujtoj se kosovarët ishin më të persekutuarit nën regjimin e Titos. Ata pranonin më mirë të arratiseshin në Shqipërinë e izolimit total, se të jetonin në Kosovë. Në burg, ku më kishin futur si antikomunist, unë njoha kosovarë që ishin me bindje komuniste. A e kuptoni se sa të vështirë e kanë pasur ata të jetojnë në vendin e tyre", thotë kroati. Edhe kleriku Rainer, përgjatë bisedës, pohoi se e kishte njohur mirë regjimin totalitar shqiptar. "Ne kishim të dhëna për persekutimet që i ishin bërë klerikëve në Shqipëri. Kishim raporte që i mbanim shumë sekret me të dhëna nga Shqipëria. Duke qenë se kryefamiljarët ishin në burg, ne u kemi dërguar ndihmë familjeve të tyre. Ishte shumë e vështirë, por ne këtë e kemi realizuar me anë të turistëve të pakët që arrinim të fusnim në Shqipëri", shpjegoi Rainer. Ndërsa pyetjes nëse komunizmi ishte një ëndërr që nuk u realizua, apo një ëndërr aspak e realizueshme, iu përgjigj Dr. Anna Kaminsky. Sipas saj, komunizmi në Gjermani mendohej se ishte diçka e mirë, që u zbatua keq. "Por unë jam totalisht kundër, pasi komunizmi parashikon t'i japë të gatshme çdo njeriu atë që ai duhet të bëjë në jetë, pra kufizon maksimalisht liritë. Prandaj është një rend totalisht i gabuar që nuk duhet të rikthehet kurrë", përmbyll Dr. Anna Kaminsky.                             Fe. De.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›