E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aliaj "Jo të gjithë mund të paguajnë "kesh"

04/02/2005  Parashikohet dhënia e kredive dhe ngritja e bankave të tokës

Për hartuesit e strategjisë është e pamundur që legalizimi të kryhet pa ndërhyrjen e shtetit me qëllim zbutjen e kostos financiare të këtij procesi. "Në 200 mijë ndërtime që janë në të gjithë vendin, natyrisht jo të gjithë janë në gjendje të paguajnë faturën dhe të gjithë shumën që u kërkohet përnjëherësh", thotë Besnik Aliaj, drejtor i Co–Plan dhe një ndër autorët e strategjisë. Në platformën e hartuar, parashikohet dhe hapja e fondeve financiare për grupet në nevojë, në formën e fondeve komunale. Një tjetër sistem që shihet i nevojshëm për zbutjen e kostos financiare të këtij procesi janë dhe kreditë e zbutura, si dhe programet e tjera të kreditimit, si stimulimi i sektorit privat, kapitalizimi i ndërtimeve etj. Ndërkohë në strategjinë e PD-së një vend të veçantë zë dhe ngritja e Bankave të Tokës, institucion që do të menaxhojë vlerësimin e rregullt të tokës, si dhe lehtësimin e dhënies së kredive dhe fondeve për legalizimin. Hartuesit e strategjisë janë të mendimit se programet e legalizimit mund të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në zbutjen e varfërisë në zonat informale. "Nga eksperienca botërore kemi parë se programet e legalizimit kanë një impakt të drejtpërdrejtë në zbutjen e varfërisë, vetëm nëse ato janë pjesë e një platforme më të gjerë politikash publike që synojnë një reformë të përgjithshme urbane. Vetëm në këtë mënyrë mund të thyhet rrethi vicioz që prodhon ilegaliteti urban, dhe njëkohësisht gjenerohet punësim dhe të ardhura në sajë të mbështetjes me politika social- ekonomike të hartuara në mënyrë të posaçme. Ky proces kërkon marrëdhënie sistematike ndërqeveritare, partneritet publik privat; dhe mbi të gjitha një atmosferë pozitive sociale", thotë Aliaj. Sipas tij, ky proces mund të kryhet brenda një mandati qeverisës. Nga ana tjetër, hartuesit e programit janë të mendimit se për implementimin e këtij procesi duhet të ekzistojnë projekte të qarta si dhe plane urbanistike për zonat ku do të kryhet procesi i legalizimit. Sipas tyre, hartimi i planeve urbanistike për zonat ku do të kryhet legalizimi është i domosdoshëm në këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›