E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kompensimi 100% i ish-pronarëve

04/02/2005  Hartuesit e platformës së legalizimit janë të mendimit se strategjia nuk mund të implementohet pa u njohur më parë e drejta e pronës ish-pronarëve. Sipas tyre, në rast se do të lihej pa zgjidhur ky problem, atëherë legalizimi do të shoqërohej dhe me konflikte mes pronarëve të vjetër dhe pronarëve të rinj. "Duhet që më parë të bëhet njohja dhe kompensimi në masën 100% i pronave ish-pronarëve me qëllim që ky proces të garantojë stabilitet", shprehen autorët e platformës. Sipas tyre, nga procesi i legalizimit mund të sigurohen një pjesë e mirë e të ardhurave për kompensimin e ish-pronarëve. "Në bazë të statistikave zyrtare në të gjithë vendin figurojnë rreth 200 mijë ndërtime që mund të sigurojnë një shumë prej 2 apo tre miliardë dollarësh", thonë specialistët. Përveç kësaj, kapitalizimi i ekonomive në këtë vend do të shtonte mundësitë dhe për vetëzhvillimin e zonave në fjalë. "Këto ekonomi, të cilat sot vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë ilegale nesër mund të jepnin një kontribut jo të vogël në fuqizimin edhe të buxhetit të shtetit", shprehen specialistët. Nga ana tjetër, sipas tyre, për kompensimin e ish-pronarëve të tokave mund të aplikohet dhe vendosja e taksës për pasurinë e paluajtshme. Sipas tyre, mendohet që në vend janë rreth 3 milionë pasuri të paluajtshme dhe taksimi i tyre do ishte një burim i jashtëzakonshëm të ardhurash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›