E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aliaj: Ka vende me më shumë banorë dhe me pak ministra

02/02/2005  Besnik Aliaj, hartuesi i Strategjisë së Partisë Demokratike për ndarjen Territoriale, shprehet se për kushtet që ka Shqipëria nuk nevojiten më shumë se 10 portofole ministrash. "Unë e kam thënë dhe më parë, që sistemi ynë i qeverisjes nuk ka nevojë për më shumë se dhjetë ministri. Ne po punojmë për hartimin e një strategjie dhe hartimin e një reforme institucionale që të jetë e ngjashme me skemat e qeverisjes të vendeve Perëndimore. Në botë ka vende me popullsi 10 apo 20 herë më të madhe se ne dhe nuk ka më shumë se 10 ministri. Pra, është më mirë të shkurtojmë numrin e ministrive, të rrisim rrogat e nëpunësve të administratës dhe të krijojmë një sistem qeverisës shumë më efikas se ky i tanishmi. Reduktimi, apo më mirë përgjysmimi i numrit të ministrave, do të ulte shpenzimet qeveritare, si dhe do e vinte qeverinë në shërbim të qytetarit", thotë Aliaj. Sipas tij, me uljen e numrit të ministrive do të ulen dhe shpenzimet e shtetit, duke rregulluar kështu dhe sisteimin e të ardhurave të shtetit. Aliaj thotë se skema do të funksionojë me ardhjen në pushtet të PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›