E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ringjallja” e Herr Schröder

02/02/2005  Vetëm një vit më parë, Gerhard Schröder ishte me litarin te fyti, jopopullor në shtëpi dhe aspak i mirëpritur në Uashington. Tani, shiheni ku është...

ë një kohë kur Rusia po bëhet gjithnjë e më autokratike, Ukraina ziente dhe Bashkimi Evropian po zgjerohet, si Evropa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara mund të shohin te Schröderi një lloj ure ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Ndërkohë që fërkimet për çështjet, që nga Irani e deri te tregtia ndërkombëtare po rriten, kush më mirë se Schröderi mund të luajë ndërmjetësin?

A mund të jetë ky momenti i Gerhard Schröderit? Një vit më parë, politikanët dhe diplomatët kudo e konsideronin si një dështim të vërtetë Kancelarin gjerman. Reformat e tij ekonomike nuk po shkonin asgjëkundi, votuesit gjermanë po hidhnin poshtë në çdo rast që u paraqitej Partinë e tij Socialdemokrate. Berlini nuk shkonte aspak mirë me Uashingtonin, në lidhje me çështjen e Irakut dhe një grup vendesh të orientuar nga reformat, të udhëhequr nga Britania, po e gërryenin dominimin gjerman (së,bashku me Francën) në Bashkimin Evropian.

E megjithatë, sot, “kancelari koprac”, siç njihej dikur, vetëm buzëqesh. Numrat e mbështetjes së tij në sondazhe po rriten. Reformat e tij ekonomike më së fundi kanë nisur të “kafshojnë”. Ndërhyrjet e tij prej burri shteti me Presidentin rus, Vladimir Putin, në lidhje me Ukrainën dhe Çeçeninë kanë bërë që për të rritet shumë respekti i udhëheqësve të tjerë botërorë. Edhe Presidenti i SHBA, George W. Bush – sekretarja e projektuar e Shtetit e të cilit, Condi Rice dikur akuzoi qeverinë e Schröder se po helmonte marrëdhëniet gjermano-amerikane – po lëshon deklarata të ngrohta në drejtim të Kancelarit dhe do të takohet kokë më kokë me të në Gjermani, muajin e ardhshëm, gjatë një udhëtimi që do të nisë në Evropë për të përmirësuar marrëdhëniet. “Papritur, thotë një zyrtar i lartë britanik, Schröder është, siç thonë, njeriu i cili duhet takuar patjetër”.

Ringjallja e Schröderit është shumë më tepër se sa thjesht fati i paqëndrueshëm dhe i ndryshueshëm i një politikani gjerman. Në të vërtetë ka të bëjë me lidershipin në Evropë. Toni Blerit i bën dëm e mira, falë marrëdhënieve shumë të ngushta me Uashingtonin. Zhak Shiraku është i komprometuar, për arsyen e kundërt. Atëherë, me cilën duhet të kontaktosh dhe “luash” për të përballuar sfidat e mëdha të vitit që sapo ka hyrë? Nëse Bushi dhe Schröderi do të jenë në gjendje të lënë mënjanë mosmarrëveshjet në lidhje me Irakun, ekziston një shans që do të jetë e mundur rindërtimi i marrëdhënieve transatlantike. Në një kohë kur Rusia po bëhet gjithnjë e më autokratike, Ukraina ziente dhe Bashkimi Evropian po zgjerohet, si Evropa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara mund të shohin te Schröderi një lloj ure ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Ndërkohë që fërkimet për çështjet, që nga Irani e deri te tregtia ndërkombëtare po rriten, kush më mirë se Schröderi mund të luajë ndërmjetësin?

Çfarë transformimi! Kur Schröderi erdhi në pushtet në vitin 1998, ai iu bashkua një brezi udhëheqësish të qendrës së majtë, përfshirë Toni Blerin në Britani dhe Lionel Zhospinin në Francë, si fytyra e re, me orientim nga tregu, e socializmit modern evropian. Shumë prej tyre janë rrëzuar përballë sfidantëve të qendrës së djathtë, ashtu si për pak sa nuk i ndodhi Schröderit. Disa vite stanjacioni ekonomik, papunësie në shifra rekord dhe reofma të paplotësueshme prodhuan një humbje rajonale pas tjetrës. Më pas erdhën zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit të vitit të kaluar, ku socialdemokratët e Schröderit fituan vetëm 21.5 për qind të votave të gjermanëve.

E megjithatë, Kancelari nuk i lëshoi për asnjë çast armët dhe pozicionin. Pa reformat e qeverisë së tij, u pati thënë Schröderi bashkëkombasve, shteti i mirëqenies i Gjermanisë do të shkonte drejt rrënimit. Që atëherë, mbështetja për të, sipas sondazheve, ka ardhur duke u rritur. “Herr Schröder e ka gjetur më së fundi rolin e tij: qëndrueshmërinë”, shkruante e përjavshmja gjermane “Der Spiegel”.

Asgjë nuk e ka ndihmuar më shumë Kancelarin gjerman sesa triumfi i fundit në Ukrainë. Më shumë se një muaj më parë, Lindja dhe Perëndimi dukej se do të përplaseshin. Opinionistë të rëndësishëm të politikës së jashtme nisën të flasin për një tjetër Luftë të Ftohtë. Presidenti rus, Vladimir Putin, kishte ndërhyrë gjatë zgjedhjeve të manipuluara presidenciale, duke mbështetur pasardhësin e preferuar të Presidentit të fortë të Ukrainës, Leonid Kushma, kundër fituesit të ligjshëm, Viktor Jushenko. Kërcënimi për përgjakje sa vinte e rritej. Të gjithë atyre që e kritikonin në Perëndim, Putini iu përgjigj duke folur për një komplot euro-amerikan për të përmbajtur Rusinë dhe shkatërruar influencën e saj. Për Evropën, Rusinë dhe rajonin – për të mos përmendur Ukrainën – kjo ishte një krizë e mirëfilltë.

Më pas, Putini fluturoi për në Gjermani, për një takim para Krishtlindjeve me Schröderin, vetëm pak ditë përpara se të ripërsëriteshin zgjedhjet e shumëkontestuara në Ukrainë. Të dy ishin më shumë dashamirës se kurrë. Ndoshta fakti që në gusht familja Schröder kishte adoptuar vogëlushen 3-vjeçare Viktoria nuk dhimbte aspak. Në fund të takimit, Putini tashmë me një hije pajtimi deklaroi se do të punonte me këdo që do të zgjidhej nga populli ukrainas. Për më tepër, ai mirëpriti “në tërësi” ofertën e Schröderit për të rritur përpjekjet e evropianëve për të ndërmjetësuar luftën e Rusisë në Çeçeni. Për këdo që ka dijeni në lidhje me ndjeshmërinë e Putinit ndaj kësaj çështjeje, lëshimi të linte pa frymë.

Rusia është shumë e rëndësishme për influencën e Schröderit si udhëheqës botëror. Dihet tashmë se dikur George Bush pa në sytë e Putinit frymën e një njeriu, me të cilin mund të punohet. Gerhard Schröder duket se ka zbuluar diçka më shumë. Putini ka kaluar 5 vjet në Gjermani si ish-oficer i KGB, flet rrjedhshëm gjermanisht dhe ka një simpati të veçantë për familjen Schröder dhe, në të vërtetë, për çdo gjë gjermane. “Schröder është si një lloj përkthyesi, dikush që është në gjendje t’i shpjegojë Perëndimit pozicionin e Putinit”, thotë Vladislav Belov, i Akademisë Ruse të Shkencave.

Dhe Putini ka shumë gjëra për të shpjeguar. Evropa është ndarë më dysh prej kohësh, për mënyrën se si duhet të përballojë veprimet shpesh antidemokratike të Rusisë. Gjermania, Franca dhe Britania kanë hezituar të ushtrojnë shumë presion mbi Putinin, ndërkohë që holandezët dhe skandinavët do të dëshironin një qëndrim më të ashpër. “Rruga e Mesme” e Schröderit – “më shumë bisedime private, më pak kritika publike”, siç e shpjegon një diplomat i lartë britanik – duket si më efikase.

Dhe suksesi i Schröderit nuk ka kaluar pa u vënë re në Shtetet e Bashkuara, sidomos tani që Bushi, në mandatin e tij të dytë kërkon të rregullojë marrëdhëniet. Shtëpia e Bardhë do ta shohë gjithmonë besnikun Bler si aleatin e saj të parë në Evropë. Mirëpo dihet tashmë që ai është në anën e SHBA dhe, në çdo rast, me zgjedhjet që po afrojnë, ai nuk është shumë i prirur të theksojë afërsinë me një President amerikan, të cilin britanikët nuk është se e duan dhe aq shumë. Sa për Shirakun – ai ka miq në Uashington, ndonëse një ftesë për Presidentin francez për të vizituar Uashingtonin po vazhdon të negociohet.

Atëherë, për Bushin Shrëderi është njeriu ku duhet shkuar. Presidenti i SHBA vazhdon të besojë se Schröderi e tradhtoi, duke mos mbajtur premtimin që i kishte dhënë që të mos e bënte Irakun çështje qendrore gjatë zgjedhjeve të vitit 2002 në Gjermani. (Ndonëse, po të mos e kish bërë, ndoshta nuk do të ishte në pushtet sot). Dhe tani thuhet se Bushi mendon që Schröder ka qenë shumë i butë me Putinin. Por ka edhe pluse, të paktën siç e shohin Shtëpia e Bardhë dhe aleatët e saj. Ndryshe nga Shiraku, Schröder “nuk do të ketë fare të bëjë me antiamerikanizmin”, thotë Denis McShane, ministri britanik për Evropën. “Ne jemi gati të afrohemi me Evropën”, thotë një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit. “Pyetja është: a janë ata gati të afrohen me ne. Schröder duket se po thotë PO”.

Kushtet janë pjekur, argumenton Karsten Voigt, koordinator për marrëdhëniet gjermano-amerikane në Ministrinë e Jashtme: “Ne e marrim rizgjedhjen e Bushit si një shans për një fillim të ri. Amerikanët na thanë të njëjtën gjë”.

Ndoshta shenja më e mirë që tregon se rëndësia e Schröder është rritur shumë qëndron në faktin që kaq shumë aktorë mezi e presin takimin e tij me Bushin. Burime pranë Blerit thonë se ata e kanë pritur prej kohësh dhe i kanë bërë madje thirrje Bushit për një takim të tillë. Jo, “kjo ishte propozimi ynë”, thotë një zyrtar amerikan. “Ishte një proces dinamik”, thotë Voigt, nga pala gjermane. “Të dy palët dëshironin të takoheshin”. Herr Kanzler, i gëzofsh komentet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›