Zgjedhjet t'i organizojë qeveria teknike
02/02/2005 Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova, ka kërkuar dje, gjatë një konference për shtyp, ngritjen e një qeveria teknike, e cila, sipas tij, do të përgatiste terrenin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në vend. "Bashkimi Liberal Demokrat e ndjen për detyrë që t'i bëjë thirrje Presidentit të Republikës, Bashkësisë Ndërkombëtare, si dhe të gjitha partive politike opozitare, që çështjen e një qeverisjeje teknike për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ta kenë në vëmendje të veçantë. Është bindja jonë si Parti e Bashkimit Liberal Demokrat, se një qeveri teknike vetëm për zgjedhjet do të rriste shpresat e shqiptarëve tek e ardhmja, besimin tek institucionet demokratike e te mundësia e organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, dinjitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe do të garantonte qëndrueshmërinë e sigurinë e vendit pas zgjedhjeve", tha Starova.