E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aliaj: Lojë për fitore

24/03/2005  EKSKLUZIVE

Mbrojtësi i Kombëtares sonë që dallohet edhe si golashënues kërkon qetësi para ndeshjes me Turqine

Të gjithë futbollistët e Kombëtares sonë duken të qetë në këto ditë stërvitore në Antalia të Turqisë, në prag të ndeshjes me vendasit, për eliminatoret e Botërorit 2006. Dje, për gazetën "Metropol Sport", me telefon nga Antalia, mbrojtësi kuqezi Adrian Aliaj, deklaroi se, gjithçka është e qetë e normale dhe kështu, skuadra shkon për fitore në këtë ndeshje. " Mendoj se si fitorja, ashtu edhe barazimi janë rezultate pozitive për ndeshjen me Turqinë. Është një rival i barabartë me ne në grup dhe nuk duhet të mendojmë tjetër rezultat" - deklaroi midis të tjerave në intervistën e tij ekskluzive, mbrojtësi i Kombëtares sonë, Adrian Aliaj.

Adrian, një stërvitje në Turqi na bën që t'ju pyesim se si shkon ajo në prag të sfidës turke?

Çdo gjë është normale dhe nuk mendoj se do t'ju them diçka speciale. Grupi i skuadrës është i kompletuar dhe me qetësi e ngarkesë stërvitore, jemi duke i përballuar seancat e stërvitjes.

Vërtet jeni të qetë, se edhe mediat turke duket se nuk ju kanë shqetësuar?

(Qesh) Më shumë na merrni ju nga Shqipëria, sesa këta këtu në Turqi. Por, nuk mendoj se janë kaq të qetë, sepse këta, edhe kur të vëzhgojnë nga larg, kapin detaje të afërta.

Dhe ju mund të na thoni ndonjë detaj?

Detaji ynë kryesor është ai që e thashë më sipër, qetësia dhe serioziteti në stërvitje. Nuk ka asgjë shqetësuese apo të veçantë që të tregojmë për tifozerinë tonë në Shqipëri.

Pse nuk mund të thuhet se është shqetësim, fakti se kush do të jetë në portën tonë në këtë ndeshje?

Pse të themi se është shqetësim? Nuk jam dakord kështu, sepse ne e kemi pritur largimin e Fotos dhe trajneri ka qenë i përgatitur për një zëvendësim të tij.

Cili mendoni se do të jetë mes dy shtyllave në këto dy sfida?

Një zgjedhje e trajnerit do të jetë për ne, një përkushtim më i madh në të dyja ndeshjet e radhës. Qoftë Lika apo kushdo tjetër, ne do të luajmë me mobilizim të lartë që ai të mos ndjehet inferior me pjesën tjetër në skuadër.

Ndoshta një qëndrim i Strakoshës edhe mund të pritet në këto dy ndeshje?

Nuk e di. Deri tani edhe Strakosha është duke u stërvitur bashkë me skuadrën, por nisur nga deklarata e tij për largim, nuk besoj se mund të kemi një rikthim të tij në portë.

Si e prisni takimin me Turqinë?

Në të gjitha drejtimet, ne jemi shumë të qetë dhe të gatshëm që të japim më të mirën. Të luajmë lojën tonë dhe nëpërmjet kësaj loje, të dalim edhe në një rezultat pozitiv.

Që sipas jush cili do të jetë?

Mendoj se si fitorja, ashtu edhe barazimi, janë rezultate pozitive për ndeshjen me Turqinë. Është një rival i barabartë me ne në grup dhe nuk mendoj se duhet të mendojmë tjetër rezultat.

Sa ndjehet te ju Adrian, problemi i biletave për ndeshjen me Greqinë?

Këto dy ditë kam dëgjuar në kanalet e televizioneve turke, por nuk më bën shumë përshtypje, për të dhënë një gjykim të plotë personal.

Pse?

Sepse mendoj që në këtë mes është politika e dy shteteve dhe unë si futbollist nuk dua të futem në mes tyre, se e di që do të ngatërrohem.

Gjithsesi, javën e ardhshme, ju do ta ndjeni këtë atmosferë në ndeshjen me Greqinë, kur në stadium nuk do të gjeni sportdashës shqiptarë?

Që do të ketë shqiptarë në atë ndeshje, unë për këtë jam plotësisht i bindur, por që nuk do të jenë aq sa mund të pritej nga ne, kjo tashmë kuptohet. Sidoqë të jetë, unë nuk mendoj se do të ndikojë si faktor negativ për lojën e synimin tonë. Të presim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›