E Hënë, 2 Nëntor 2026

FIFA “predikon” marrëveshjen mes palëve

24/03/2005  Organi më i lartë i futbollit në botë konfirmon se, gjetja e zgjidhjes së kësaj çështjeje nuk është kompetencë e saj

Çështja e “biletave” të shqiptarëve për ndeshjen e 30 marsit, Greqi-Shqipëri, duket se është arkivuar tashmë nga FSHF-ja. Në një përfundim të tillë është arritur, pas përgjigjes negative të ardhur nga FIFA, e cila i ka zbehur shpresat e zyrtarëve shqiptarë, në lidhje me apelimin në organin më të lartë të futbollit në botë, të pretendimit të grekëve për një “borxh të vjetër”. Kjo ka qenë dhe përmbajtja e një faksi të mbërritur paraditen e djeshme, në federatën tonë. “Nuk kemi kompetencat e duhura për të ndërhyrë në këtë mes - ishte mesazhi i dërguar nga “qeveria” botërore e futbollit. – Ajo që ne ju sugjerojmë të bëni është të gjeni një rrugë zgjidhje me palën greke”. Tërheqjen e saj nga një çështje e tillë, FIFA e ka mbështetur tek ekzistenca e një konvente të nënshkruar nga të gjitha federatat që aderojnë në organizatën e futbollit botëror. Përgjigjja negative nuk është pritur mirë nga shqiptarët, por gjithsesi të gjithë kthyen sytë nga federata shqiptare, e cila për fatin e keq, nuk ka tentuar të bëjë asgjë më shumë se të arkivojë faktin që tifozët kuqezinj meritonin të kishin në dispozicion të tyre, 1562 biletat (5 përqindëshin e totalit të stadiumit “G. Karaiskaki”). Në FSHF shikon të ngrejnë supet, nëse u drejton pyetjen se cili do të jetë hapi pasues i shqiptarëve. Përveç faksit që i është dërguar vetëm pak ditë më parë Federatës Greke të Futbollit, nëpërmjet të cilit u kërkohej që të mos nxitoheshin për shitjen e biletave të parashikuara në marrëveshjen ekzistuese për ndeshje të tilla, asnjë tentativë tjetër nuk është bërë për të arritur një marrëveshje. Ndërkohë që, edhe koha në dispozicion ishte e pamjaftueshme, pasi fqinjët tanë, ashtu dhe siç kishin paralajmëruar të hënën, kanë nxjerrë në shitje kuotën e biletave, të cilat duhet të shkonin në duart e shqiptarëve. Edhe pse, sipas informacioneve të marra në stadium, do të jetë i konsiderueshëm numri i tifozëve kuqezinj që kanë blerë biletën në rrugë private, mosefiçensa 100 % e FSHF-së është për t’u korrigjuar, me qëllimin për të shmangur probleme të tilla në të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›