Policia heton për Runin
24/03/2005 Sulmuesi i Mançester Junajtid, Uejni Runi, mund të përballet shumë shpejt me akuzat e forcave të policisë, si pasojë e aktit agresiv, manifestuar brenda një klubi nate. Një student 22- vjeçar iu ka bërë të ditur zyrës qendrore të policisë në Mançester se, sulmuesi 19- vjeçar e ka rrahur atë në zonën e quajtur “Tiger Tiger”, rreth orës 02:00 të mëngjesit. Runi, i cili gjendej në klub së bashku me disa nga shokët e skuadrës, mendohet se ka reaguar ashpër, si pasojë e komenteve që janë bërë rreth tij për transferimin nga Evertoni për te Mançester Junajtid. Ndërkaq, policia është duke hetuar ngjarjen, por një zëdhënës i Runit ka hedhur poshtë gjithçka. “Uejni ishte parë me një person, të cilin ai nuk e ka kërcënuar apo sulmuar fizikisht, ka deklaruar zëdhënësi. Uejni nuk ka shfaqur kurrfarë reagimi agresiv. Madje, ky person u largua menjëherë nga klubi, nën shoqërimin e rojeve të sigurisë së brendshme”. Mendohet se Runi është ndjerë mjaft i prekur, pas diskutimeve që mund të jenë bërë, si pasojë e transferimit në “Old Traford”, gjë e cila nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e Evertonit. Thuhet se, djaloshi 22 vjeçar kishte thirrur Runin, duke e quajtur “tradhtar” dhe “ai që është blu mbetet gjithmonë blu”. Këto thënie i referoheshin ngjyrave të fanelës së Evertonit. Në komentet e tij, studenti kishte deklaruar: “Krejt papritur ai u bë si i çmendur dhe vuri dorë mbi mua. Më gjuajti tri herë me grushta, dy prej tyre mbi kokë dhe një tjetër në ballë”. Nga ana tjetër, një zëdhënës i policisë konfirmoi se, “një ankesë formale për agresion” është bërë. “Në këtë fazë është shumë e vështirë që të themi nëse do të na nevojitet të marrim në pyetje, personin e implikuar në ngjarje”-ka thënë zëdhënësi i policisë. Atë natë, Runi ishte së bashku me Rio Ferdinand, Uesli Braun dhe Roi Kerrol.