E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aliaj: Skuadra e Hanit, një enigmë

 

Adrian Aliaj, shqiptari i fundit që i ka shënuar gol Suedisë (në miqësoren e 18 shkurtit në vitin 2004), është dyshues për skuadrën që ka krijuar Ari Han. “Kanë luajtur pak ndeshje dhe ajo kundër Lihteshtejnit nuk mund të konsiderohet një test i vërtetë për ekipin, – tha ish-mbrojtësi i Kombëtares për ‘Panorama’. – Mund të them se skuadra e Ari Hanit është një enigmë e vërtetë pasi ende nuk kemi parë potencialin e saj të vërtetë. Nuk mund të krahasohet një miqësore me një ndeshje kualifikuese, por mund të them se kur fituam 2-1 kundër Suedisë para katër vitesh skuadra po kalonte një periudhë të artë. Në ekip kishte një harmoni dhe një besim në vetvete që sot kjo skuadër nuk e ka. Përveç kësaj unë mendoj se Shqipërisë aktualisht i mungon klasi. Ekipit i mungon një futbollist që mund të tërheqë skuadrën, apo të zgjidhë ndeshjen dhe ky është një problem. Unë shpresoj dhe dëshiroj shumë që ta nisim me një rezultat pozitiv edicionin, por jam paksa dyshues për gjendjen aktuale të ekipit. Shpresoja që Ari Han të kishte qëndruar më gjatë në Shqipëri”, ka thënë Aliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›