E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia injoron thirrjet e Perëndimit, ende trupa në Gjeorgji

 

Situata në Gjeorgji, edhe pse është qetësuar që nga ditët e luftës, qëndron në një linjë të vazhdueshme tensioni. Trupat ruse kanë ende pika kontrolli në territorin gjeorgjian, duke mos respektuar paktin që Moska nënshkroi me Perëndimin. “Rusia do të tërheqë të gjithë trupat e saj nga pikat kontrollit në Gjeorgji, kur ata të zëvendësohen nga paqeruajtësit ndërkombëtarë dhe kur qeveria e Tbilisit të nënshkruajë paktin e jo-agresionit me rajonet e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë”, kështu deklaroi ambasadori i Moskës në Londër, Yuri Fedotov pak para se zëvendëspresidenti amerikan Dik Çenej të mbërrinte në Gjeorgji. Vendi i ka ndërprerë formalisht marrëdhëniet diplomatike me Rusinë, pasi ajo pushtoi pjesë të territorit të saj dhe njohu dy rajonet separatiste. Sipas Ministrisë së Jashtme gjeorgjiane, i dërguari i Federatës ruse në Tbilisi, Andrei Smaga është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë dhe i është komunikuar ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike. Menjëherë pas kësaj Rusia e mbylli ambasadën në Tbilisi. Zëdhënësi i ambasadës tha se edhe shërbimi konsullor është mbyllur deri në pritje të direktivave të mëtejme nga Moska. Ndërkohë, Presidenti i Rusisë Dimitri Medvedev i është kundërpërgjigjur debateve nga liderët e vendeve më të industrializuara, për të përjashtuar Rusinë nga G8 si masë ndëshkimore për sjelljen e saj me Gjeorgjinë. “Moska nuk frikësohet nëse dëbohet nga Grupi i tetë vendeve më të industrializuara të botës për shkak të krizës rreth Gjeorgjisë”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›