Sarah Pelin pranon emërimin mes sulmeve dhe përkrahjeve
Sarah Pelin, kandidatja për zëvendëspresidente e zgjedhur nga republikani Xhon Mekein, kishte rastin t’i kundërpërgjigjej sulmeve mediatike mbi jetën e saj, të bërë subjekt diskutimesh prej shumë ditësh. Bashkëpunëtorë të Xhon Mekeinit, kanë bërë thirrje me zemërim para se të niste dita e tretë e Konventës republikane për emërimin e kandidatit të tyre, që mediat t’i japin fund pyetjeve për sa i takon të kaluarës së Sarah Pelin, duke i përshkruar komentet e tyre si skandaloze dhe që kërkonin të shkatërronin imazhin e femrës së parë republikane kandidate për zëvendëspresidente. “Këto pyetje të pakuptimta kanë marrë fund”, citoi këshilltari i fushatës, Steve Schmidt në një deklaratë të shkruar. Republikanët i kanë komentuar pyetjet që kanë ngritur gazetarët për të kaluarën dhe të tashmen e Sarah Pelin si diskriminim gjinor. Bashkëpunëtorët më të afërt të Mekein thanë se i kanë vlerësuar mjaft arritjet profesionale të Pelin, madje komentuan më tej se si lidere ajo ka më shumë eksperiencë se Barak Obama. Mekein i ka shokuar të gjithë kur zgjodhi Sarah Pelin si bashkëpunëtoren e tij më të afërt, pasi ajo nuk ishte përmendur asnjëherë në kandidaturat e Mekeinit për zëvendëspresident të SHBA-së. Por Pelin është kthyer në personazhin më të diskutuar të mediave gjatë ditëve të fundit. Së pari ajo njoftoi ditën e hapjes së konventës se vajza e saj e pamartuar vetëm 17 vjeçe, Bristol Pelin është në muajin e pestë të shtatzënisë, por do të martohej me të dashurin e saj. Mbi të rëndojnë edhe dyshime të tjera: Një avokat privat është i autorizuar të shpenzojë 95,000 dollarë nga fondi i shtetit për ta mbrojtur Pelin kundër akuzave për abuzim me pushtetin. Pelin ka miratuar disa projekte për qytetin dhe shtetin që ka drejtuar, të cilat binin në kundërshtim me imazhin e saj reformist. Veç kësaj bashkëshorti i saj dikur ka qenë pjesë e një grupi ekstrem politik në Alaska, me disa anëtarë që kërkonin ndarjen nga Shtetet e Bashkuara. Dhe mesa dihet, në të kaluarën Pelin ka pirë marijuanë. Por asnjë nga këto deklarata nuk e ka lëkundur Mekeinin për zgjedhjen e tij. Pas katër ditësh sulmi, Pelin pati shansin mbrëmë t’i kundërpërgjigjej medias. Veç pranimit të kandidaturës si zëvendëspresidente, ajo tregoi edhe historinë e saj; bashkiake e një qyteti të vogël; bashkëshortja e një nëpunësi nafte; dhe nëna e pesë fëmijëve, përfshirë edhe një të lindur me sindromin Daun.
Bush mbështeti Mekein
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, u ka bërë thirrje republikanëve që të mbështesin kandidatin e tyre për në Shtëpinë e Bardhë. nëpërmjet një video-lidhjeje prej tetë minutash, Bush tha se “Unë i di zgjedhjet e vështira të cilat i takojnë që t’i bëjë vetëm një presidenti. Jeta e ka përgatitur Xhon Mekeinin që t’i bëjë të tilla zgjedhje. Ai është i gatshëm ta udhëheqë këtë komb. Mekein është një amerikan i madh dhe presidenti i ardhshëm”, tha Bush. Sipas tij, Mekein ishte i gatshëm të udhëhiqte Amerikën sepse i kuptonte mësimet e nxjerra nga sulmet e 11 shtatorit dhe nevojën për ta vazhduar ofensivën mbi terroristët. Xhon Mekein pritet të kandidohet zyrtarisht për zgjedhjet e nëntorit në punimet e konventës republikane ditën e enjte.