Gjahtarët plagosin 50-vjeçaren
KRUJE - Një 50-vjeçare në Krujë është plagosur dje aksidentalisht me armë gjahu. Burime policore të këtij qytetit pohojnë se, ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme, teksa e dëmtuara Vitore Stojani ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pas plagëve të marra nga goditja me çifte. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur kur gjahtarë të paligjshëm kanë qëlluar gabimisht ndaj gruas. Menjëherë pas kësaj ata janë larguar, por policia është vënë në ndjekje të tyre. Ende pa u hapur sezoni i gjuetisë në zonën e Krujës, mjaft gjahtarë amatorë janë parë të gjuajnë shpendë dhe lepuj në fshatrat përreth këtij qytetit. Siç duket, gjahtarët që mendohet se janë nga Kruja, janë ngatërruar dhe kanë qëlluar drejt 50-vjeçares, e cila ndodhej duke punuar në arën e vet. Pasi kanë mësuar faktin se kishin qëlluar gabimisht një njeri, gjahtarët janë larguar, pa i dhënë ndihmën e parë, ndërsa persona të tjerë që ndodheshin e kanë përcjellë të plagosurën në spital ku është mjekuar, ndërkohë është njoftuar edhe policia. f.m.