E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Rama, replika në distancë

Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar punën e kryetarit të baskisë, Edi Rama, duke e cilësuar si një mashtrues me punët publike. “Rama mashtron. Shkollat e vjetra i bojatis me bojëra dhe i shet për të reja”, - tha Berisha gjatë një takimi ditën e djeshme në minibashkinë numër 11 në Tiranë, por vetëm disa orë më pas ka reaguar Edi Rama duke thënë se “Berisha të mos fluturiset pas një kanali të ujërave të zeza”. Disa kilometra larg Tiranës, Berisha përuroi një ujësjellës-kanalizim dhe akuzoi Ramën se po mashtron me deklaratat e tij për investimet e bashkisë në shkolla. “Janë 2.2 miliardë lekë kredi e marrë nga qeveria shqiptare për shkollat e Tiranës, kurse kryetari i bashkisë me korrespondencë akoma s’ka dorëzuar më shumë se tri të tilla dhe përpiqet t’ua shesë për të reja shkollat e vjetra që i bojatis me bojërat që preferon vetë”, - tha më tej Berisha. Pak orë më vonë, Edi Rama do të përuronte nisjen e punimeve për asfaltimin e rrugëve dytësore në Tiranë, punimet e rrugës “Sadik Petrela”, nga ku i kërkoi Berishës të mos flasë nga periferia, por të shohë se ku qëndrojnë problemet e vërteta të Tiranës. “Besoj se sot duhet të ishte rasti që Kryeministri të ishte këtu dhe të mos fluturisej pas një kanali të ujërave të zeza, sepse i gjori njeri mbeti duke shkuar pas komunave e bashkive për të marrë një punë mbi vete sepse punët qeveritare po i shikoni të gjithë se si po shkojnë”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›