E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha-OSBE: Rishikim të mandatit pas progresit të vendit



Shqipëria kërkon zyrtarisht një rishikim të mandatit të pranisë së OSBE-së në vend duke e justifikuar këtë me progresin e qartë në rrugën e integrimit euroatlantik. Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, i ka kthyer përgjigje letrës së kreut të OSBE-së, Aleksandër Stuub, i cili dy javë më parë i kërkonte një rritje të rolit të zyrës së kësaj organizate në Tiranë dhe qëndrim më të gjatë këtu. Por Basha në letrën e tij dërguar dje, pranon se roli i kësaj zyre është akoma i nevojshëm, por duke i përcaktuar fushat ku duhet të shtrihet bashkëpunimi. Sipas Bashës, nevojitet një marrëveshje e re pas asaj të vitit 1996 dhe ndihma e OSBE-së duhet të shtrihet në fushën e reformës zgjedhore dhe atë të drejtësisë. Madje ministri shkruan se për këto reforma duhet të ketë data të përcaktuara qartë. Në mënyrë fare të qartë dhe zyrtarisht, ministri i Jashtëm i shkruan Stuud-it se “do të mirëprisnim bashkëpunimin tuaj për të fokusuar mandatin e ri të pranisë së OSBE-së në Shqipëri në dy çështje themelore: reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore, me një afat kohor të përcaktuar qartë”.

Letra e Bashës

Që në nisje të letrës ministri shqiptar i shkruan Stuub-it se “dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj kërkesën e Shqipërisë, tashmë të shprehur edhe në forumet e OSBE-së në Vjenë, për ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE-së në vend”. Duke e bërë të qartë kërkesën për një ndryshim mandati, por pa përmendur fjalën përfundim kryediplomati i sugjeron një marrëveshje të re në këtë prizëm dhe përcaktimin e fushave ku shihet nevoja për bashkëpunim. Basha së pari i bën me dije vlerësimin për punën e deritanishme duke u shprehur se “duke kërkuar ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE-së në Shqipëri, dua t’ju siguroj, i nderuar ministër, për vlerësimin maksimal të qeverisë shqiptare për punën dhe asistencën e saj në zhvillimet demokratike në vend”. Në këtë pikë ai deklaron gatishmërinë e Tiranës zyrtare për të filluar procesin e negociatave, në mënyrë që, siç shprehet ministri, “të kalojmë në një fazë të re marrëdhëniesh me OSBE-në dhe praninë e saj në Shqipëri, duke synuar kështu realizimin e disa prioriteteve madhore të integrimit evropian të Shqipërisë”. Arsyet pse qeveria shqiptare kërkon ndryshim mandati janë sipas ministrit Basha progresi demokratik i dukshëm i vendit. Kryediplomati shkruan: “Nisur nga fakti që mandati aktual i pranisë është miratuar para gjashtë vjetësh, si dhe bazuar në tendencat e qarta të progresit demokratik të vendit, si marrja e ftesës në Samitin e Bukureshtit dhe përmbushja e procedurave vijuese për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, nënshkrimi i MSA-së me BE-në dhe arritjet e pamohueshme në realizimin e aspiratave tona integruese, gjykojmë se Shqipëria është në stadin kur duhet të marrë gradualisht pronësinë gjithnjë e më të madhe të proceseve përmes kapaciteteve të rritura profesionale dhe drejtuese të institucioneve shqiptare”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›