E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Tragjedia e Gërdecit u shkaktua nga mosmirëmbajtja e municioneve



Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi ditën e djeshme një raport në lidhje me municionet në të gjithë botën si dhe shqetësimet në lidhje me këtë çështje. DASH përmendte edhe tragjedinë e Gërdecit që sipas këtij raporti, ndodhi si rezultat i vjetërsisë dhe mosmirëmbajtjes së duhur të municioneve. Koloneli i ushtrisë amerikane dhe ish-kreu Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për çminimet, George Zahaczewsky, ka përpiluar një listë me aksidentet më të rënda të shkaktuara si pasojë e municioneve të vjetruara. Në këtë raport përmenden 137 incidente, mes të cilave edhe ai i Gërdecit, ku humbën jetën 24 vetë, u plagosen me shumë se 300 të tjerë, si dhe u shkatërruan shumë pasuri. Sipas këtij raporti, faktorë për këtë incident të rëndë ishin municionet e vjetruara, paketimi i keq dhe mosmirëmbajtja e tyre. Në raport theksohet se shumë vende të botës kanë pësuar tragjedi të ngjashme me atë të Gërdecit si dhe kërkohet që të vihet dorë sa më shpejt në eliminimin e këtij rreziku. Shpërthime në depot e municioneve kanë ndodhur edhe në zona të tjera të populluara në botë, si Uzbekistan dhe Bullgari. Ato pasojnë incidente të rënda të ndodhura gjatë viteve. Këto depo të rrezikshme në të cilën ndodhen municione mjaft të vjetruara dhe të paketuara keq, mund të shkaktojnë çdo vit më shumë viktima sesa zonat e minuara apo mbetjet eksplozive të Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›