E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Kritiezerët brenda PS-së s’kanë një model opozite

Ylli Manjani, kryetari i komisionit për çështjet ligjore, si dhe juristi i njohur, bashkohet me opozitën e bërë nga Partia Socialiste. Gjatë një interviste për “Standard”, Manjani e vlerëson maksimalisht performancën e grupit parlamentar, ndërsa zgjedh që të japë një përgjigje për të gjithë kritikët e opozitës së Edi Ramës. “Më thoni ju lutem se si duhet të sillemi”, - është mesazhi i Manjanit. Lidhur me reformat që ulën në një tryezë dy partitë e mëdha, ai thotë se PS-ja ka një meritë të veçantë për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO, ndërsa nga ana tjetër, thekson se për reformën në drejtësi nuk është bërë ende diçka konkrete. Lidhur me zgjedhjet në Kashar Manjani thotë se nuk është i saktë përcaktimi se PS-ja u rendit e katërta duke sqaruar se “kandidati që mbështetej nga PS-ja u rendit i katërti”. Për të mazhoranca është përfshirë nga paniku për votën, ndërsa LSI-ja nga sindroma e një partie që i mungojnë idetë. Sa për fenomenin e përfolur shpesh në selinë rozë për politikën e re, e përkthyer ndryshe si afrimi i të rinjve dhe largimi i vjetëve, Manjani nuk pranon të vërë kurrsesi shenjë barazimi. E rëndësishme sipas tij është dëshira për të ndryshuar Shqipërinë dhe “jo ata që kapen fort pas zënkave me ish-kryetarin dhe që sot na i quajnë "kontribute" në parti, të cilët megjithatë nuk janë përzënë nga asnjë forum i partisë”.

Z. Manjani, PS-ja sapo ka dalë nga një sesion parlamentar. Si e shihni performancën e grupit parlamentar. Kujtojmë se kritika kundër mënyrës së të bërit opozitë ka pasur si nga partitë e tjera të opozitës, ashtu edhe nga PS-ja?

Grupi Parlamentar i PS-së pati një performancë të jashtëzakonshme për mendimin tim. Për herë të parë në historinë politike të tranzicionit një grup parlamentar i opozitës u bë nismëtar dhe kontribuues i reformave të mëdha, reforma të cilat ndihmuan vendin në marrjen e ftesës për në NATO. Që pas zgjedhjeve lokale, PSSH-ja doli me një propozim për të nxitur kryerjen e pesë reformave të mëdha, reforma të domosdoshme për marrjen e ftesës për në NATO. Pati një periudhë heshtjeje nga qeveria dhe mazhoranca, derisa më në fund i "erdhën mendtë" shefit të saj për t’u ulur seriozisht me opozitën për të reformuar vendin në prag të marrjes së ftesës. Presioni ndërkombëtar pati gjithashtu një ndikim në sjelljen e Kryeministrit, e për pasojë ai u detyrua të pranojë rolin e opozitës në reforma. Nuk duhen harruar këto ngjarje sepse krijohen opinione të gabuara dhe të pabaza.

Grupi kuvendor i PSSH-së ka nxitur dhe kontribuar në fillimin e "kryereformës", që është reforma e vetë politikës. Kemi konkluduar me sistemin zgjedhor, por reforma do të vazhdojë, duhet përfunduar ligji i zgjedhjeve, duhet siguruar transparenca e parave të partive politike, duhen nxitur gratë dhe të rinjtë që të marrin pjesë në jetën e partive, duhen vendosur rregulla të forta loje që partitë të mos çojnë shtetin në zgrap, sa herë të administrojnë pushtetin, duhen vendosur rregulla për bashkëpunimin luajal dhe jo korruptiv etj. Këto janë hapa të rëndësishme për jetën politike në Shqipëri. Një politikë bajate, konfliktuale dhe e paaftë si kjo e derisotmja, nuk jep asnjë garanci apo shpresë për zhvillim dhe progres. Kjo lloj politike, pra si kjo e derisotmja, mbjell panik, përçarje dhe largim të qytetarëve nga qeverisja e vendit. Kjo është shumë e rëndë!

Grupi kuvendor i PSSH-së u detyrua jo rrallëherë të sillet në rrethanat e nevojës ekstreme nga presioni i verbër i drejtueses më të paaftë që ka pasur ndonjëherë ky Kuvend, si dhe nga rrugaçëria banditeske e Kryeministrit të vendit, i cili tashmë ka hyrë në fazën e panikut elektoral. Gjestet ekstreme të drejtuesve të lartë të shtetit ndaj deputetëve të PSSH-së, ishin provokim për të larguar nga salla e marrjes së vendimeve përfaqësuesit e opozitës. Shfrimi më i fundit i Kryeministrit ishte hakmarrës dhe primitiv.

E vërteta është që ka kritika për mënyrën e butë të të bërit opozitë, mirëpo për fatin e keq, modeli i opozitarit në këtë vend është Sali Berisha. Të djegësh dy herë Kryeministrinë, të protestosh me bomba dhe kallashnikov, të rrëmbesh televizionin publik apo të bësh grusht shteti nuk besoj së quhesh opozitë. Nga ana tjetër, të shash, shpifësh e fyesh këdo që ke kundërshtar nuk besoj se i rrit pikë opozitës. Mirëpo për fatin e keq, ky është modeli. Kritika nga opozitës përfundon gjithmonë në sentenca jologjike. P.sh., kritika thotë se përse nuk e rrëzoni Sali Berishën? - Mirëpo çështja është se askush nuk arsyeton se për të rrëzuar një kryeministër duhet të kesh 71 vota deputetësh dhe jo 30-34 deputetë. Ky është rregulli i demokracisë! Ka të tjerë që thonë se përse nuk protestoni? - Kur thirren në protesta, janë pikërisht këto kritizerë që kritikojnë protestën. Më thoni ju lutem se si duhet të sillemi.

Puna është se kjo kritikë ndaj nesh ka arritur të shfokusojë vëmendjen nga problemi kryesor, që është qeverisja e keqe. Në njëfarë mënyre, fakti që merren me ne, tregon vlerësim sepse tek kjo qeveri njerëzit i kanë prerë shpresat e kohës për ndryshim. Mirëpo sot për sot ne jemi në opozitë parlamentare dhe rregulli i demokracisë e do që të sillemi si opozitë.

Ky sesion parlamentar shënoi nisjen e dy reformave të mëdha, ajo në drejtësi dhe ajo elektorale, të cilat vazhdimësinë do ta kenë në sesionin e ardhshëm parlamentar. Sa për reformën në drejtësi, duket se kohët e fundit mbeti disi në hije. Ku duhet të fokusohet më tej puna për të dhe çfarë do të kërkojë PS për realizimin e saj?

Unë nuk mendoj se ky sesion kreu reformë në drejtësi. Mazhoranca e "orientoi" vëmendjen e gjithë opinionit publik dhe mediatik, tek miratimi i një projektligji për pushtetin gjyqësor, projekt i cili u ribë me kontributin e deputetëve dhe ekspertëve tanë me përvojë në këtë fushë. Sapo ky ligj u miratua, u harrua gjithçka. Ndërkohë, grupi i PSSH-së depozitoi një pakt për reformat në drejtësi, ku planifikohen ndërhyrje serioze dhe të domosdoshme në sistem. Ky pakt mbeti në sirtarët e Jozefinës dhe të Fatos Bejës, dhe askush nuk u kujtua më për reformën në drejtësi. Disa herë ne e kemi përsëritur këtë fakt, por asgjë nuk lëviz në kampin e mazhorancës. Kjo tregon edhe një herë se "sa seriozisht "e ka kjo mazhorancë reformën në drejtësi. Me një papërgjegjshmëri totale, reforma në drejtësi është sot gjëja më e injoruar e qeverisë dhe mazhorancës. Reformat e Saliut janë thjesht rokada emrash, ku të rinjtë që vijnë duhet të jenë miq, familjarë (kjo është më e preferueshme) apo të njohur të vetë Kryeministrit. Kjo sjelljë sigurisht që nuk stimulon reformën, por deformimin. Me siguri qeveria do të vihet në lëvizje kur të marrë ndonjë "dush" ndërkombëtar të qenësishëm. Sa për atë se ku do të fokusohet puna e PSSH, kjo është e qartë tek përfundimi i reformës zgjedhore me përparësi. Të tjerat me sa duket nuk i interesojnë më Kryeministrit, kështu që mbeten për t’u kryer pasi PSSH-ja të kthehet në shumicë parlamentare në zgjedhjet e vitit 2009.

Ndërsa për reformën zgjedhore ka ende pikëpyetje te mëdha, e kam fjalën për formulën e funksionimit të KQZ-së, qendrave të votimit, të numërimit të votave etj., PS-ja nuk është shprehur ende. Si njohës i mirë i ligjeve zgjedhore, sipas jush, cila është formula më e mirë dhe që nuk mund të sjellë kontestime?

Puna është se të gjitha formulat janë të mira dhe demokratike në letër, por në praktikë devijojnë dhe kthehen në mizerabël. Nuk është se PSSH-ja nuk ka qëndrim për këto çështje që ju shtroni, por kemi preferuar që të dialogojmë në tryezë me ekspertë dhe politikanë dhe të kemi qëndrime sa më të harmonizuara. Besoj se produkti që del nga dialogu është shumë më i mirë se ai i forcës së kartonave.

Të flasim pak për PS-në. Sapo janë zhvilluar zgjedhjet e pjesshme në Kashar ku PS-ja u rendit e katërta, një rezultat jo shumë i kënaqshëm, ndërsa nga zgjedhjet e përgjithshme na ndan një vit. Sipas jush çfarë ndodhi në Kashar? Nuk ishte kandidatura e duhur apo PS-ja nuk ka arritur të përcjellë mesazhin e saj qartë?

Pikë së pari, PSSH nuk u rendit e katërta, por kandidati që mbështetej nga PS-ja u rendit i katërti. Nxitimi për të shpallur partitë fituese dhe humbëse në një palë zgjedhje në një komunë të vetme me një sistem zgjedhor krejt tjetër nga ai që do të zbatohen në zgjedhjet parlamentare, është papjekuri dhe shprehje e panikut elektoral. Ne në PSSH nuk kemi asnjë arsye të jemi në këtë panik sepse nuk jemi as në krizë votash, siç është Sali Berisha, e as kemi sindromën e një partie të vogël dhe pa ide, siç është LSI-ja.

Zgjedhjet e Kasharit treguan edhe një herë se sa e rëndësishme është reforma zgjedhore. Konkurrimi individual në zgjedhje (çfarëdo zgjedhjesh) është shndërruar në një bursë korrupsioni, ku qarkullojnë para dhe ku gjithmonë fiton ai që shpenzon më shumë dhe që është më i forti fizikisht. Kjo i tensionon zgjedhjet dhe i bën ato krejt të neveritshme për njerëzit, të cilët dalin gjithmonë të zhgënjyer nga proceset zgjedhore. Të jeni të sigurt se kjo ka ndodhur edhe në Kashar. Nuk ishte as punë kandidati e as punë politike, siç nxiton propaganda e Saliut, por ishte kjo puna e bursës së parave ndërmjet një grupi njerëzish pa ngjyrë politike por të rreshtuar nën flamujt e partive (me përjashtim të PSSH-së). Kjo frymë dhe sjellje arrogante e diktuar nga paratë e korrupsionit të djeshëm dhe të sotëm ndau edhe një herë nipin nga daja, babain nga i biri e kështu me radhë dhe në fund ndau edhe një herë qytetarët e Kasharit nga qeverisja e tyre vendore. Ky është mesazhi që kemi lexuar në vazhdimësi në këto tre vjet opozitë. Prandaj dhe duam ta ndryshojmë këtë realitet

Në PS flitet shumë për politikën e re dhe për njerëzit e rinj. Pavarësisht kësaj, figura të njohura të PS-së mbeten kritike ndaj saj. Kjo, sepse futja e të rinjve mund të nxjerrë jashtë loje të vjetrit, që për hir të së vërtetës, kanë kontribute shumëvjeçare në parti. E shihni këtë si një ndër elementet kryesore të formulës që do të sjellë PS-ja në pushtet?

Asnjëherë e nga askush në PS nuk është barazuar ideja për një politikë të re me ardhjen e "të rinjve" si zëvendësues të "të vjetërve". Për fat të keq, ky është një spekulim që përdoret gjerësisht nga të gjithë ata që nuk arritën të hapin mendjet e tyre ne realitetin e ri politik. Nevoja për ndryshim në politikë buron nga ato që thashë pak më parë, pra nga kalbja e rrënjëve të sistemit politik në vend. Ky sistem i kalbur nuk u përgjigjet më interesave të vendit. Mirëpo, qoftë edhe për të kuptuar këtë gjë, kërkohen mendje të hapura dhe jo thjesht "luftëtarë" apo "kontribuues" të 1997-ës, të cilët megjithatë, po e shesin lëkurën e tyre përditë e më shumë tek persekutori i tyre. Sidoqoftë, çdokush është i lirë të bëjë zgjedhjen e vet politike, por në PSSH nuk ka pasur e as ka persekutime apo përjashtime, siç nxitohet rëndom të konkludohet. Në PSSH-në e këtyre tre viteve ka pasur veprim politik që ka njohur arritje dhe dështime.

Në PSSH nuk ka të rinj apo të vjetër, por ka shqiptarë që nuk pajtohen me realitetin e sotëm dhe të gjithë tranzicionit. Ka shqiptarë që duan të ndryshojnë këtë vend. Unë shoh përditë këtë motivim dhe këtë qasje tek të gjithë në Tiranë dhe kudo në Shqipëri. Kjo është rëndësishme dhe jo ata që kapen fort pas zënkave me ish-kryetarin dhe që sot na i quajnë "kontribute" në parti, të cilët megjithatë nuk janë përzënë nga asnjë forum i partisë.

"Përtej së majtës dhe të djathtës", një prej pikave ku kryetari i PS-së ka përqendruar turin "Dialog me Shqipërinë". Ju jeni dakord me këtë filozofi?

Përtej të majtës dhe të djathtës është arsyeja e një bashkimi të madh ndërmjet shqiptarëve për të mbyllur përfundimisht kapitullin e mbrapshtive politike të derisotme. E majta dhe e djathta e sotme janë thjesht kuvli të strukturuara për të ndarë njerëzit njëri me tjetrin dhe jo për t’i bashkuar ata për të ardhmen e vendit. PSSH-ja sot në opozitë po jep shembullin e saj, jo pa kosto politike, duke diktuar nevojën e një opozite të përgjegjshme, opozitë e cila kritikohet sepse modeli është ai i derisotmi, pra ndarja në kuvli dhe futja në sherr me këdo e për gjithçka. Kjo nuk u shërben më shqiptarëve të lodhur më konflikte politike. Përtej të majtës e të djathtës do të thotë bashkim i shqiptarëve përballë çdo njeriu apo fenomeni që përkeqëson jetën e tyre dhe kthen vendin mbrapa. Kryeministri i sotëm jeton pa oksigjen, por nuk jeton dot pa konflikt. Për gjithçka ai krijon konflikt. Kjo nuk u intereson më shqiptarëve, madje as tifozëve politikë. Prandaj është e rëndësishme që njerëzit të dalin nga llogoret politike dhe të marrin vetë në dorë fatet e këtij vendi, jo thjesht duke votuar, por edhe duke protestuar, jo thjesht duke duartrokitur liderët, por edhe duke i kritikuar ata, jo thjesht duke pritur nga vendimet e shtetit, por duke diktuar vendimet e tij në favor të shoqërisë. Këto që po them nuk janë shpikje, por esenca e demokracisë.

Përtej të majtës dhe të djathtës do të thotë respekt për bindjet politike të gjithkujt dhe njëkohësisht bashkim energjish dhe vlerash në dobi të Shqipërisë. Sali Berisha e ndërroi tri herë administratën publike, pa pyetur fare për zotësinë e askujt. Qeveria e shërbesave degradoi në qeveri të korrupsionit. Kjo qeveri nuk është se po i shërben me mirë demokratit të thjeshtë, por ajo po i shërben vetëm një grupi të vogël nepotik të lidhur me Kryeministrin. Në këto kushte demokratit dhe socialistit nuk i mbetet gjë tjetër, por të bashkohen në protestën e tyre ndaj këtij kryeministri, pastaj secili të respektojë partinë dhe bindjet e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›