E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka-Ceka-Meta, kristalizohet poli i tretë



Eljona Ballhysa
Keqmenaxhimi i koalicioneve nga dy partitë e mëdha duket se po kristalizon gjithnjë e më shumë idenë e krijimit të polit të tretë në politikën shqiptare. Kështu, kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, është shprehur dje se do të mbështesë krijimin e polit të tretë në politikë. Sipas Cekës, poli i tretë do të krijohet nga bashkëpunimi i PAD-së, por dhe i partive të tjera të qendrës me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Gjatë ditës së djeshme, në mbështetje të një bashkëpunimi të mundshëm me LSI-në është shprehur dhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Që të dy krerët e këtyre dy partive të vogla janë shprehur të pakënaqur nga bashkëpunimi me dy partitë e mëdha. Kështu, Ceka është shprehur kundër bashkëpunimit me Partinë Socialiste, me të cilën ka qenë në koalicion prej vitesh. Por edhe kreu i PDK-së, Ndoka, është shprehur se koalicioni i djathtë është konfuz dhe e ka akuzuar Partinë Demokratike për sulme ndaj PDK-së. Edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë shprehur të hapur për të bashkëpunuar me partitë e koalicionit qeverisës, megjithëse deri tani nuk janë zhvilluar negociata me asnjë parti të qendrës së djathtë.
Demokristianët
Demokristianët nuk shohin asnjë dritë jeshile për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Vetëm pak kohë më parë, kryetari i PD-së shkarkoi nga detyra e ministrit të Shëndetësisë, kreun e PDK-së, Nard Ndoka. Kjo solli dhe largimin e PDK-së nga koalicioni qeverisës për shkak se kjo parti nuk ka asnjë përfaqësues të sajin në qeveri. Pikërisht kjo marrëdhënie e tensionuar ka shuar shpresat e PDK-së për një bashkëpunim me PD-në. Kryetari i kësaj partie, Nard Ndoka, është shprehur dje se koalicioni i djathtë është konfuz dhe se PD-ja vazhdon ende ta sulmojë Partinë Demokristiane. Ndoka, gjithashtu, ka bërë të ditur se PDK-ja nuk ka vendosur ende se me cilën parti do të bashkëpunojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai shprehet se më parë do të presë miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Por Ndoka nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në kuadër të krijimit të polit të tretë në politikën shqiptare.
Aleancistët
Edhe kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, shprehet pro bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ceka ka bërë të ditur dje se në bashkëpunimin me LSI-në ka një histori suksesi, e cila është vërtetuar në zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën, vetëm pak kohë më parë, në komunën e Kasharit. Megjithatë, edhe Ceka thekson se më parë do të presë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të përcaktuar përfundimisht se me kë do të bashkëpunojë në zgjedhjet e ardhshme. Por aleancisti Ceka nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit dhe me Partinë Demokratike, ndërkohë që shprehet kundër bashkëpunimit me socialistët me të cilët ka vite që ndodhet në koalicion. Ceka ka bërë të ditur se në rast se nuk do të krijohet poli i tretë, të cilin e shikon me pozitivitet, atëherë do të shikojë mundësinë e bashkëpunimit me koalicionin e djathtë.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›