Alibali: PR-ja mbështet koalicione të mëdha
Në zgjedhjet e reja parlamentare republikanët do të mbështesin koalicionet e mëdha të sigurt se kjo formulë do ta çojë të djathtën drejt një mandati të dytë qeverisës. Nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali, bëri dje të ditur se është në interes të të gjitha partive, si të vogla, ashtu dhe të mëdha, nga të dy krahët e spektrit politik shqiptar, që të futen në zgjedhje mbi bazë koalicionesh”. Sipas z.Alibali, grupimet e interesit, të cilat janë shkëputur dikur për arsye të rrethanave politike historike, të bashkohen me PD-në, në mënyrë që koalicionet të mos jenë koalicione të shumë partive, por koalicione që janë më përfaqësuese të interesave të grupimit të djathtë. Sipas tij, ”koalicioni i përbërë është i mirë për faktin se brenda tij ka një spektër partish të djathta, të cilat përfaqësojnë interesat e grupeve të ndryshme të interesit, që jetojnë brenda të djathtës”. Nënkryetari i PR-së vuri në dukje se është në interes të të gjitha partive, si të vogla ashtu dhe të mëdha, nga të dy krahët e spektrit politik shqiptar që të futen, në zgjedhje mbi bazë koalicionesh. Pasi sipas tij “ligji i ri që pritet të bëhet, do të jetë një Dushk në favor të partive të mëdha, dhe jo si në zgjedhjet e 2005-ës që ishte një Dushk në favor të partive të vogla”. Në këtë mënyrë, republikanët janë kundër shkrirjes me PD-në. Alibali argumentoi se PR-ja nuk është parti e dalë nga PD-ja dhe është një forcë politike që ka fizionominë e saj, luftën e saj, historikun e saj dhe tek e fundit, është një aset i konsiderueshëm i pasurisë kombëtare në politikën shqiptare. Megjithatë, - ka vijuar ai, - PR-ja ka qenë gjithmonë që forcat politike, grupimet e interesit të cilat janë shkëputur dikur për arsye të rrethanave politike historike, të bashkohen me PD-në në mënyrë që koalicionet që do të behën, të mos jenë koalicione të shumë partive, por të jenë koalicione që janë më përfaqësues të interesave të grupimit të djathtë”.