E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poli i tretë, LSI-ja afron Ndokën dhe Dulen

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon të institucionalizojë polin e tretë në politikën shqiptare. Në një kohë kur çdo parti, me sado influencë që ka, po bën përpjeke për të sistemuar politikisht veten, LSI-ja kërkon të arrijë diçka më shumë. Kjo forcë politike, pas humbjes në plan të parë të aleatëve Neritan Ceka dhe Paskal Milo, ka hedhur vështrimin më gjerë, përtej së majtës duke kërkuar në strofkën e politikës së djathtë. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, u shpreh dje se LSI-ja tashmë po kërkon të realizojë koalicionin e saj politik, duke thirrur nën këtë nismë të re, parti surprizë si PDK-ja e Nard Ndokës apo PBDNJ-në e Vangjel Dules. Xhufi tha se pavarësisht se këto parti i përkasin kampit të djathtë tashmë, bashkëpunimi me to nuk do të ishte tabu, aq më tepër në politikën e sotme. Ai u shpreh se nisur nga përvoja e fundit, kur LSI-ja doli kundër ndryshimeve kushtetuese, pati mbështetje edhe nga fraksione të së djathtës, duke e bërë LSI-në optimiste për gjetje aleatësh dhe bashkëpunëtorësh për zgjedhjet e vitit 2009. “Natyrisht, një koalicion me këto do të kërkonte të tjera gjëra. Ky nuk është një bashkëpunim pragmatik, por bashkëpunimi mund të zgjerohet dhe me forca të djathta, pse jo. Edhe në luftën për referendumin ne kemi pasur bashkëpunim me përfaqësues të djathtë”, - tha Xhufi.

Gjithsesi, LSI-ja nuk përjashton mundësinë e daljes si e vetme në zgjedhje. Zyrtarët e kësaj partie e konsiderojnë LSI-në si një parti që tashmë ka çfarë të ofrojë si dhe parashikojnë rritje të elektoratit të tyre, pas ndryshimit të kursit politik të Partisë Socialiste, siç e shprehin zyrtarët e LSI-së. “Një mundësi tjetër është që LSI-ja të dalë e vetme në zgjedhje pasi jo domosdoshmërisht duhet të jesh pjesë e një koalicioni”, - thotë Xhufi. Në këtë pikë, numri dy i LSI-së e sheh edhe në krahun parimor, duke mos mohuar të drejtën e daljes si e vetme në zgjedhje. “Ndërkohë çdo parti ka dhe të drejtën e Zotit që të garojë e vetme. Si mund të imponosh ti që unë për të garuar në garën elektorale duhet të futem patjetër në një koalicion”, - shtoi Xhufi.

Në këtë kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit, LSI-ja duket se po konsideron edhe Fatos Nanon, liderin historik të së majtës. Xhufi u përgjigj në një mënyrë më diplomatike, për sa i përket afrimit të mundshëm të Nanos tek LSI-ja. “Zoti Nano sigurisht ka partinë e tij, ka opsionet e tij të cilat mendoj se nuk gërshetohen për një ndërmarrje të tillë. Sigurisht, ne me zotin Nano dhe me këdo e kemi dëshiruar dhe do të dëshironim të bashkëpunonim për çështje të tilla madhore siç qe për shembull çështja e ndryshimeve kushtetuese”, - u shpreh Xhufi për sa i përket një bashkëpunimi me Nanon. Pavarësisht këtyre aksioneve nga më të ndryshme për të manovruar në zgjedhjet e ardhshme, LSI-ja tashmë i ka vënë kapakun marrëdhënieve me PS-në. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dje edhe numri dy i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili u shpreh se LSI-ja do të marrë fund si forcë politike në rast se vendos të bashkëpunojë në koalicion me PS-në. Ai u shpreh se një lëvizje e tillë do të thotë ekzekutim. “Me gjithë alternativat që dalin para LSI-ja vetëm një është e prerë, për të mos qenë pjesë e një koalicioni me PS-në për zgjedhjet e 2009-ës. Nëse kjo do të ndodhë, ne do të thoshim që të vëmë LSI-në në poltronin e ekzekutivit dhe ta ekzekutojmë”, - u shpreh Xhufi. Në fund të deklaratës së tij, Xhufi konfirmoi se LSI-ja do tentojë të jetë më e matur me lëvizjet e saj, që sipas tij, ky fakt vjen për shkak se LSI-ja ka një identitet dhe pavarësi politike ndryshe nga çdo forcë tjetër e vogël parlamentare.

LSI: Zjarret kanë prekur zonat e banuara dhe ato turistike

Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur se situata e rënduar e zjarreve ka pasur dëme më të mëdha se ç’është menduar fillimisht. Sipas kësaj force politike, janë dëmtuar prona private, të mbjella si dhe zonat turistike në pjesë të ndryshme të vendit. “Situata dramatike e këtij viti përveç dëmtimeve të qindra hektarëve pyjeve e shkurreve, shkatërrimit të ekosistemeve, ka sjellë madje si kurrë më parë edhe kërcenim masiv të jetës së njerëzve e shprehur kjo në evakuimin e sforcuar të më shumë se 3000 banorëve dhe pushuesve. Janë dëmtuar si asnjëherë më parë edhe ullishte, hotele, banesa, fabrika prodhimi, por dëme të shumta ka pasur në bagëti etj. Qartazi mungon një strategji dhe plan veprimi për parandalimin e zjarreve nga shërbimi i mbrojtjes së pyjeve si dhe janë tërësisht kaotike dhe të rrëmujshme ndërhyrjet për luftimin e djegieve. Kjo duket edhe në faktin se aktorë të shuarjes së flakëve kanë qenë banorët e zonave të prekura dhe jo zjarrfikësit apo strukturat e tjera të specializuara. Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, Shqipëria do të paguaje çdo vit haraçin e hidhur të shkatërrimit të pasurive natyrore dhe njerëzore”, - u shpreh dje sekretari i mjedisit në LSI, Edmond Panariti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›