E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Të vetëm ose koalicion me Ilir Metën



PD-ja po tenton zgjerimin e koalicionit për zgjedhjet e 2009-ës, por ajo rrezikon braktisjen e njërit prej aleatëve, demokristianëve. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, paralajmëroi dje krijimin e një aleancë të re me LSI-në e Ilir Metës për zgjedhjet e reja parlamentare. Kjo, gjithnjë nëse kodi i ri nuk favorizon daljen vetëm të PDK-së në zgjedhje. “Asnjë koalicion nuk është i pamundur, qoftë ky edhe me LSI-në”, - deklaroi z.Ndoka. Ai lëshoi akuza të ashpra drejt PD-së, duke e cilësuar si jo të ndershme në bashkëpunimin me aleatët. Kreu i PDK-së e cilësoi konfuze situatën brenda së djathtës, sipas tij për shkak të sjelljes së demokratëve. Ai vlerësoi se forca kryesore që qeveris vendin ka qenë e pasinqertë me aleatët. Në kushte të tilla, Ndoka gjykon se Partia Demokratike nuk do ta ketë të lehtë të bashkojë të djathtën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht lehtësisë që shfaqin drejtues të saj në deklaratat e tyre publike. Nard Ndoka bëri të qartë se forca e tij politike po pret miratimin e kodit zgjedhor për të vendosur rreth bashkëpunimit me forca të tjera politike. Kreu i PDK-së, ish-ministër Shëndetësie mohoi mundësinë për një shkrirje të mundshme me PD-në nga radhët e së cilës ai ka dalë. “Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve të dy partive të mëdha për të hequr mundësinë e daljes të vetme në zgjedhje për forcat e ashtuquajtura të vogla, PDK-ja synon të shkojë e vetme në zgjedhje”, - u shpreh z.Nard Ndoka. Duke iu referuar tre vjet qeverisjeje të së djathtës, kreu demokristian, i larguar para pak kohesh nga drejtimi i shëndetësisë, bëri të ditur se një mandat tjetër është i dyshimtë, nëse deri në zgjedhje nuk do të ketë ndryshime të dukshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›