E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolaudimi i makinave, tri kompani të huaja përzgjidhen për koncesionin

Burime zyrtare pranë ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit bënë të ditur se në fazën e parë, që ka të bëjë me parakualifikimin e ofertave, janë përzgjedhur tri kompani të huaja, konkretisht kompania franceze SAS Sakar, ajo gjermane TYV Sut, si dhe kompania zvicerane SGS. Ekspertë nga Ministria e Financave, ajo e Ekonomisë si dhe specialistë të transporteve, që janë pjesë e grupit të punës së krijuar tashmë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, do të përzgjedhin mes këtyre ofertuesve të parakualifikuar. Grupi i punës do të kryejë vlerësimin e ofertës fituese dhe do ta shpallë rezultatin e vlerësimit në muajin nëntor të këtij viti. Sipas burimeve të mësipërme, procedura e koncesionit do të jetë për një kohëzgjatje deri në 20 vjet. Ndërsa financimi i shërbimit do të jetë nga tarifat për shërbimin e kontrollit të detyrueshëm të mjeteve rrugore dhe rimorkiove. Objektivat e këtij koncesioni do të jenë përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj shtetasve dhe subjekteve shtetërore dhe private, rritja e sigurisë së qarkullimit në rrugë, zvogëlimi i ndotjes në mjedis, rritja e eficencës së shërbimit, si dhe modernizmi i teknologjisë së shërbimit nëpërmjet vendosjes së standardeve teknologjike të larta në kontrollin e mjeteve. Lidhur me çështjen e tarifave, burimet zyrtare sqaruan se parashikohet të jetë një kombinim shumë i mirë i disa faktorëve, i faktorit investim, faktorit teknologjik që do të përdoret, por edhe i tarifës së aplikueshme. Sipas tyre, mbetet në vlerësimin e ofertuesve nëse të ardhurat që aktualisht përfiton DPSHTRR-ja janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha investimet që kërkohen për të përmirësuar teknologjinë e kontrollit. Shërbimi i kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve është një strukturë në vartësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›