Panariti: Është përkeqësuar gjendja e sigurisë ushqimore
Sekretari për bujqësinë dhe mjedisin në LSI, Edmond Panariti, u shpreh dje se është përkeqësuar situata për sa i përket sigurisë ushqimore. Ai tha se janë shfaqur disa sëmundje tepër të rënda të cilat rrezikojnë seriozisht shëndetin e njerëzve. “Madje, situata mund të konsiderohet dramatike dhe unë do ta konsideroja një situatë afrikane, jo evropiane. Ne kemi një riaktivizim të sëmundjeve infektive mesjetare do të thosha, si plasja, tuberkulozi, bruceloza. Ne kemi, afërsisht 1 mijë raste të reja të infeksioneve me brucelozë dhe nuk ka asnjë vend në Evropë që të ketë parametra të tillë. Këta parametra mund t’i gjeni fare mirë në Afrikë. Ne kemi raste të prekjes nga infeksioni i plasjeve. Spitalet, klinikat anembanë vendit po mbushen me raste të këtyre infeksioneve dhe kjo vjen nga fakti i dështimit të profilaksisë, të parandalimit të këtyre sëmundjeve në bagëti. Praktikisht, ne nuk kryejmë vaksinim të bagëtive në vend. Mund të themi se situata e vaksinimeve, e masave profilaktike është mjerane. Më pak se 20 për qind e bagëtive të vendit vaksinohen dhe për rrjedhojë, duke mos u vaksinuar, pjesa tjetër bëhet mbartëse dhe përhapëse e infeksioneve që kërcënojnë gjithnjë e më shumë shëndetin publik, dhe kemi një rritje të rasteve të këtyre të sëmundjeve, të prekjes së popullatës nga këto sëmundje, të cilat nuk ekzistojnë në shekullin e 21-të në Evropë”, - tha Panariti.