E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibali: Pati rrjedhje informacioni gjatë tenderimit të ARMO-s



Tenderi i privatizimi të ARMO-s u tentua të manipulohej për ta shitur kompaninë tek persona të interesuar. Kjo është pranuar dje nga zv.ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali. Ai ka pranuar publikisht se ka pasur rrjedhje të informacionit konfidencial të procesit të tenderimi për shitjen e ARMO-s dhe se kjo është bërë nga punonjës brenda ministrisë. Alibali nga ana tjetër ka bërë me dije se METE ende nuk ka marrë asnjë masë administrative ndaj personave përgjegjës, veçse ka përcjellë dosjet në prokurori. Alibali në një dalje para mediave pranoi se përpara tenderit ka pasur rrjedhje të informacionit që ishte klasifikuar si konfidencial. Nga ana tjetër, zv.ministri Alibali siguron se kjo rrjedhje informacioni nuk e ka cenuar procesin e privatizimit të kompanisë. “Është tentuar të vidhet në bashkëpunim dhe të manipulohet informacioni zyrtar i klasifikuar si konfidencial. Subjekte të caktuara, me interesa të caktuara të drejtpërdrejta, kanë tentuar të hyjnë të marrin informacion për t’i përdorur dhe për t’i bërë presion komisionit, në mënyrë që të bëhen presione të vazhdueshme, për të ndryshuar drejtimin e punës të grupit të punës të ministrisë, të cilët negocionin kontratën”, - ka thënë dje zv.ministri Alibali. Dështimin e kësaj vjedhjeje, Alibali e vlerësoi me vetë rezultatin e procesit të privatizimit të ARMO-s, i cili "tregoi se ishte e pamundur të mund të goditej ligji". Ndërsa nga njëra anë, Alibali ka pranuar se personat që tentuan të manipulonin procesin janë punonjës të ministrisë, por nga ana tjetër nuk ka bërë publikë emrat e tyre, ashtu sikur bëri Kryeministri dy ditë më parë. Alibali nga ana tjetër ka siguruar se këta persona nuk kanë qenë pjesë e komisionit të tenderit, ndërkohë që nuk ka mohuar mundësinë për përfshirjen në këtë aferë të punonjësve të ministrisë. “Në ministri nuk është marrë asnjë masë administrative, pasi kjo është çështje e organeve përkatëse”, - ka saktësuar ai. Procesi i privatizimit të ARMO-a që në fillim të tij u mbulua me mister, ku fillimisht u fol për shoqëri të dyshimta, pjesëmarrëse në garë, aq sa u angazhuan edhe shërbimet e inteligjencës.

Vetëm dy ditë më parë, Kryeministri Berisha, në mbledhjen e qeverisë deklaroi se procesi i privatizimit të ARMO-s rrezikoi sabotim serioz, por për fat të mirë u mbyll me sukses. Të mërkurën qeveria miratoi kontratën e shitjes së 85 për qind të aksioneve të shoqërisë së karburanteve ARMO, me vlerë 130 milionë euro. Kryeministri u deklarua se individë të korruptuar tentuan të sabotojnë privatizimin dhe se qeveria ka paditur në prokurori sabotatorët e ARMO-s. Berisha vuri në dukje se Policia Kriminale neutralizoi sabotatorët, që po përpiqeshin ta dështonin procesin. “Kjo ndodhi, pasi këta zyrtarë kishin marrë oferta nga kompani të tjera. Procesi u kompletua me sukses të plotë, gjobëvënësit apo gjobëprerësit morën përgjigjen që meritonin dhe arka e publikut shqiptar do të ketë 130 milionë euro më shumë për të ndërtuar rrugë, shkolla, për të rritur pagat, për të zvogëluar borxhin”, – theksoi z. Berisha.

Dosja me akuzat për zyrtarët e METE-s tashmë është në prokurori. Burime pranë policisë sqarojnë se dosja është në fazën e fundit të përpilimit dhe do të kalojë edhe në ekspertizën e Policisë Gjyqësore, për të evidentuar fakte shtesë në lidhje me këtë skandal. Bëhet e ditur se Prokuroria do të veprojë më tej me këtë çështje, si dhe do të kërkojë të gjithë dokumentacionin dhe provat përkatëse. Ministria e Ekonomisë, përpara hapjes së ofertave për privatizimin e ARMO-s, kërkoi ndihmë edhe nga strukturat ndërkombëtare në lidhje me këtë tender, për të shmangur të gjitha ndërhyrjet e mundshme që mund të vinin nga jashtë. Zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, doli në një konferencë për shtyp, pak ditë përpara hapjes së ofertave për tenderin, nga ku kërkoi angazhimin e strukturave ndërkombëtare për të ndaluar ndërhyrjet në tender. Tenderi do të zhvillohej në pranverën e këtij viti, nga ku do të dilte fitues kompania amerikane “Refinery Associates Of Texas”, e cila ofroi 125 milionë euro për blerjen e 85 për qind të aksioneve të ARMO-s, si dhe një shumë prej 240 milionë eurosh për të investuar në këtë kompani. Në këtë tender morën pjesë edhe disa kompani të tjera, por ofertat e tyre ishin dukshëm të papërfillshme në raport me atë që ofruan amerikanët e “Refinery Associates Of Texas”.

Krijohet Dhoma Industrisë dhe Tregtisë gjermane në Shqipëri

Ambasada e Republikës së Gjermanisë në Tiranë, nisur nga prania gjithnjë dhe më e madhe e bizneseve gjermane në Shqipëri, si dhe treguesit në rritje të tregtisë mes dy vendeve, ka krijuar këto ditë Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë Gjermane në Shqipëri (DIHA), bënë të ditur dje burime zyrtare të GTZ-së (Programi gjerman për Zhvillim Ekonomik). Përfaqësuesit e pranishëm të biznesit gjerman në Shqipëri, thanë burimet e mësipërme, zgjodhën presidente, drejtoren ekzekutive të "Tirana International Airport" (TIA), zonjën Andrea Gebbeken. Krijimi i DIHA-s vjen në përvjetorin e 20-të të bashkëpunimit për zhvillim gjermano-shqiptar. Që prej nënshkrimit të Protokollit të parë të bisedimeve qeveritare ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë më 22 tetor 1998, Gjermania ka vënë në dispozicion të Shqipërisë më shumë se 700 milionë euro asistencë.

Vijimi i bashkëpunimit do të konkretizohet edhe më tej me organizimin e konferencës ekonomike gjermano-shqiptare. Që nga viti 2005 volumi i tregtisë së jashtme ndërmjet dy vendeve është rritur me 32%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›