E Shtunë, 31 Tetor 2026

TVSH-ja për makineritë, afat 12 muaj pas zhdoganimit

Bizneset që importojnë makineri apo pajisje për aktivitetin e tyre do të mund t’i kalojnë ato në doganë pa paguar TVSH-në në momentin zhdoganimit. Afati për të paguar TVSH-në do të shtyhet deri në 1 vit nga momenti i importimit të makinerive apo pajisjeve. Kjo është vendosur dje nga Këshilli i Ministrave, i cili miratoi disa ndryshime të projektligjit “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin në “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar”.

Sipas këtij vendimi, janë bërë ndryshime në nenin 24, “Organizatat jofitimprurëse”, ku theksohet se furnizimi i mallrave e shërbimeve nga organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë statusin e organizatave jofitimprurëse për përfitim publik dhe që çmimet e mallrave dhe shërbimeve, që ato furnizojnë, janë dukshëm më të ulëta se çmimet e tregut. Statusi i organizatave jofitimprurëse për përfitim publik jepet, me autorizim, nga ministri i Financave, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”. Ndërkaq në nenin 2 është bërë ndryshim është për TVSH-në e makinerive. Sipas vendimit, për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht llojit të saj, zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së deri në 12 muaj. Për rastet kur cikli i zhvillimit të investimeve dhe fillimit të ofrimit të prodhimit, ose të shërbimit është më i gjatë se 12 muaj, ministri i Financave ka autoritetin ta zgjasë afatin e shtyrjes së pagesës së TVSH-së, në varësi të ciklit të zhvillimit të investimit të parashikuar në marrëveshje apo kontratë. Sipas kësaj skeme, TVSH-ja nuk paguhet në doganë në çastin e importit. Skema e re e shtyrjes së pagesës së TVSH-së përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret dhe procedurat, që do të ndiqen për shtyrjen e TVSH-së, në rastin kur zgjatja e ciklit të investimit dhe fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit është më e gjatë se 12 muaj, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Vendimi sqaron se importimi përfundimtar i të gjitha mallrave prej një personi të tatueshëm, kur furnizimi i tyre në të gjitha rrethanat, brenda vendit, është furnizim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Kjo shkronjë nuk zbatohet për furnizimin në import të shtypshkrimeve dhe librave të çdo lloji. Ndërkohë vendimi parashikon që në mungesë të emërimit të një përfaqësuesi tatimor, të gjitha detyrimet dhe penalitetet për to, paguhen nga përfituesi vendas i furnizimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›