Banka Amerikane e Shqipërisë ndryshon emrin në "Intesa Sanpaolo Bank Albania”
Banka Amerikane e Shqipërisë ndryshon emrin. Banka Amerikane e Shqipërisë, duke filluar nga dita e djeshme e ka ndryshuar emrin në Intesa Sanpaolo Bank Albania Sh.A. Lajmi është bërë i ditur dje nga Banka e Shqipërisë (BSH). Sipas BSH-së, urdhri për ndryshimin e emrit të Bankës Amerikane të Shqipërisë u miratua nga z. Fatos Ibrahimi, zëvendësguvernator i parë i Bankës së Shqipërisë dhe do të jetë efektiv pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Në qershor të vitit të kaluar, Banka Qendrore Shqiptare miratoi transferimin e paketës kontrolluese në masën 80 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Shqipërisë, tek grupi bankar Intesa Sanpaolo S.p.A. Itali, me vlerë 156.9 milionë USD. Struktura e kapitalit aksioner të Bankës Amerikane të Shqipërisë zotërohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve dhe Grupi Intesa Sanpaolo S.p.A, në raportet FSHAN, 3.000.000 aksione, që përfaqësojnë 20 për qind të kapitalit aksioner dhe Intesa Sanpaolo, 12.000.000 aksione, që përfaqësojnë 80 për qind të kapitalit aksioner të Bankës Grupi Intesa Sanpaolo është i pranishëm në 48 vende të botës. Rrjeti i brendshëm i Intesa Sanpaolo përbëhet afërsisht nga 5.500 degë, të shpërndara në të gjithë Italinë dhe u shërben rreth 12 milionë klientëve. Me filialet e veta në 13 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe me një rrjet prej rreth 1 650 degësh, ai iu shërben rreth 7.7 milionë klientëve.