Berisha: Vlora, qendra më e fuqishme detare në Mesdhe
Qeveria synon ta shndërrojë Vlorën në një nga qendrat më të fuqishme detare të Mesdheut, dhe një nga gjeneratorët më të mëdhenj të zhvillimit të Shqipërisë. I tillë është dhe projekt i konsorciumit anglo-zviceran “Zumax”, ku Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në prezantimin e planeve për zhvillimin dhe ndërtimin e një terminali të madh kontenierësh. Bashkë me portin është planifikuar të zhvillohet edhe një park industrial “Zonë e lirë”. Bëhet fjalë për një investim në vlerën e 1.2 miliard eurove. Projekti synon që nëpërmjet këtij porti ta shndërrojë Vlorën në pikë të rëndësishme tranziti për import-eksportin e mallrave në rajonin. Konsorciumi anglo-zviceran “Zumax AG”, ka zhvilluar studimin paraprak të këtij projekti, i cili do të jetë baza e diskutimeve tregtare me investitorë potencialë. Faza tjetër do të jetë kryerja e një studimi të plotë fizibiliteti, i ndërtuar mbi rezultatet e studimit paraprak, i cili do të trajtojë çdo çështje në detaje. Kryeministri e cilësoi investimin me vlerë 1.2 miliard eurosh që parashikon projekti, si një besim të jashtëzakonshëm që kompania dëshmon tek Shqipëria. “Unë nuk mund të them se në tre vite ekonomia shqiptare u dyfishua, por mund të them me saktësi se në tre vjet të ardhurat kombëtare u dyfishuan, pavarësisht reduktimit dhe përgjysmimit të taksave”, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, në këto tre vjet po bëhet përpjekja më e madhe për një infrastrukturë moderne në Shqipëri. Kryeministri evidentoi se brenda një afati të shkurtër sjellim në Vlorë autostradën me katër korsi, duke garantuar se qeveria e tij do të marrë të gjitha masat në funksion të portit dhe zonës suaj të lirë, të përshtasë të gjithë infrastrukturën hekurudhore, rrugore për të lehtësuar sa më shumë transportin. Berisha iu drejtua përfaqësuesve të kompanisë “Zumax”: “Ju theksuat me shumë të drejtë Korridorin VIII, i cili në një mënyrë ose në një tjetër po ndërtohet dhe do të ndërtohet”. “Por, - shtoi Berisha, - porti që ju ndërtoni është i një rëndësie edhe jashtë hapësirave të këtij korridori. Autostrada Durrës-Prishtinë-Merdare-Nish dhe më tutje do të lidhë Vlorën me Korridorin X dhe me vende të tjera të rajonit dhe Evropës. “Në këtë kontekst edhe njëherë dua t’ju falënderoj për këtë besim të jashtëzakonshëm që keni dëshmuar tek Shqipëria dhe ky besim është i vlefshëm sa vetë shuma e madhe, 1.2 miliard euro, që ju keni vendosur të investoni në projektin tuaj të madh dhe t’u siguroj se qeveria ime do t’ju mbështesë fuqimisht”, - deklaroi z. Berisha. Në përfundim ai tregoi: “Pak vite më parë një gazetar britanik më pyeti a do të bëhet Shqipëria “Tajvani” i Evropës. Përgjigjja ishte jo. Shqipëria do të bëhet “shqiponja” e Evropës, së bashku do t’ia arrijmë”.