E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulen bonot, vetëm 11 për qind

17/03/2010 Fillimi i pagesave të legalizimeve me letrat me vlerë nuk ka dhënë asnjë impakt në treg

Kambistët nuk shprehen optimistë për ecurinë: Qytetarët interes minimal për blerjen e këtyre letrave

Pavarësisht se pagesa me bono privatizimi për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje sapo ka filluar, interesi i qytetarëve për blerjen e tyre në treg është thuajse minimal. Kjo mungesë interesi ka bërë që vlera e bonove të shënojë menjëherë ulje dhe dje vlerësoheshin me vetëm 11 për qind. Pagesa e legalizimeve me letra me vlerë filloi ditën e premte, më 12 mars, dhe në tregun e bonove kjo u ndie menjëherë, pasi vlera e tyre arriti menjëherë në 14 për qind, duke pësuar rritje. Por kjo situatë zgjati vetëm pak ditë, pasi nga dje vlera e tyre shënoi rënie dhe kambistët nuk duken shumë optimistë për të ardhmen e bonove. Mungesa e interesit të qytetarëve është një ndër faktorët kryesorë që po ndikon në përqindjen e ulët të bonove në treg, thonë ata. Nga ana tjetër, po flitet për aktivizimin e tyre edhe gjatë procesit të privatizimeve, por ende nuk ka asgjë konkrete, pasi në treg nuk janë shënuar kërkesa për shuma të mëdha të bonove. Në faktor tjetër që po ndikon në këtë situatë është edhe dalja e udhëzimit nga Ministria e Financave, i cili saktëson procedurën për shpërndarjen e bonove që janë depozituar nga qytetarët në kompanitë investuese. Ky proces fillon në muajin prill dhe do të mbyllet në muajin shtator, çka do të thotë se tregu do të ketë mbingopje dhe rrjedhimisht vlera e bonove në treg nuk do të pësojë rritje. Duke filluar nga data 12 mars, të gjithë qytetarët që kanë nisur procesin e legalizimeve dhe kanë kryer pagesën, apo ata që ende nuk kanë nisur procesin, kanë vënë në përdorim edhe bonot e privatizimit. Në respektim të afateve ligjore, qytetarët që e kanë bërë pagesën me para në dorë do të kenë tre muaj kohë për të marrë sërish paratë e tyre dhe të shlyejnë detyrimet për legalizimin me bono, ndërsa pas kalimit të këtij afati shlyerja e detyrimit do të bëhet vetëm me para. Miratimi i ligjit për të futur bonot e privatizimit në procesin e legalizimit, ku nëpërmjet tyre qytetarët mund të paguanin deri në 80 për qind të detyrimit që i kanë ALUIZNI-t, i dha shtysë të fuqishme tregtimit të tyre, por duket se kjo shtysë zgjati shumë pak. Ndërsa për vite më radhë këto letra me vlerë u mbajtën në sirtarët e qytetarëve që u pajisën me to pas privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, përcaktimi i destinacionit të përdorimit të tyre u rriti ndjeshëm vlerën brenda pak kohësh. Nga ana tjetër, Qeveria ka vendosur të riaktivizojë një sasi të konsiderueshme bonosh privatizimi, të bllokuara në disa fonde investimi prej shumë vitesh, duke ua shpërndarë atë qytetarëve. Miratimi i projektligjit për "Sipërmarrjet e investimeve kolektive" parashikon që të gjitha bonot e privatizimit të investuara në këto fonde investimi do t’u shpërndahen individëve. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet “Anglo-Adriatika”, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare, për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Ligji i ri që u miratua nga Parlamenti parashikon rigjallërimin e tregut të letrave me vlerë si ato të ish-të përndjekurve, bonot e privatizimit, lëshimin e obligacioneve nga kompanitë private, si dhe shitblerja e aksioneve në bursë.

Gjendja, sa milionë janë shpërndarë

Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndarë dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit, shumica e të cilave nuk është futur ende në përdorim dhe pritet që së shpejti të kalojnë për procesin e legalizimeve. Megjithatë, interesi i qytetarëve duket të jetë shumë i ulët, çka ka ndikuar edhe në vlerësimin e bonove në tregun e shkëmbimit valutor.

8 për qind ishte vlera e bonove para fillimit të legalizimeve

14 për qind shkoi vlera e bonove me fillimin e legalizimeve

11 për qind është vlera aktuale e bonove në tregun valutor

70 për qind të sipërfaqes mund të paguhet me bono privatizimi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›