E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: 27 gjyqtarë do të propozohen për procedime në KLD



Ministria e Drejtësisë do t’i propozojë KLD-së procedimin disiplinor dhe masat përkatëse penalizuese për 27 gjyqtarë nga gjykata të ndryshme të vendit. Një fakt i tillë konfirmohet nga vetë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Aliebaj, i cili u shpreh se janë gati materialet dhe me masat përkatëse do t’i dërgohen për shqyrtim Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas ministrit, fillimisht në mbledhjen e ardhshme do procedohet me masat disiplinore për 3 gjyqtarët e çështjes së shumëpërfolur “Delijorgji” dhe me gjyqtarin e Burrelit, Murat Lleshi. Më pas, procedimi do vijojë me masat disiplinore për 12 gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të kryeqytetit dhe më pas me 11 gjyqtarët e akuzuar për lirimit e të dënuarve nga ish-ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmajli. Sipas ministrit, masat e kërkuara për gjyqtarët janë për shkelje të rëndë të funksionit të gjyqtarit dhe për pasojë do kërkohet largimi nga detyra, ndërkohë që për disa të tjera do ketë masa penalizuese më të buta. Megjithatë, sipas ministrit, për 5 gjyqtarë të Apelit të Tiranës do kërkohet largim nga funksioni i gjyqtarit, pasi janë gjetur me shkelje të rënda dhe të përsëritura. Gjyqtarët e gjetur me shkelje, sipas ministrit, kanë dërguar vërejtjet e tyre lidhur me raportin, në brendësi të të cilave pranonin shkeljet që u janë gjetur.

Inspektimi

Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë përfundoi inspektimin në Gjykatën e Apelit pasi nga 30 ditë e zvarrisnin 7 muaj zbardhjen e një vendimi gjyqësor, duke cenuar në këtë mënyrë procesin e gjykimit dhe duke dëmtuar qytetarët. Pas kontrollit të ushtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë përgatiti një raport përfundimtar, të cilin ua vuri në dispozicion edhe gjyqtarëve të gjetur me shkelje. Në të u konstatua se 12 gjyqtarë të Apelit Tiranë, nga data 1 janar i vitit 2007 deri në 30 dhjetor të këtij viti, kanë dorëzuar në kryesekretarinë e kësaj gjykate jashtë afatit ligjor 700 dosje civile dhe penale, që zënë 20% të çështjeve penale dhe civile të përfunduara. Inspektimi ka evidentuar faktin se një numër i madh dosjesh janë dorëzuar minimalisht në një afat kohor mbi dy muaj nga dhënia e vendimit dhe maksimalisht 6 muaj nga dhënia e vendimit. Raporti evidenton se vonesat në dorëzimin e dosjeve kanë sjellë pasoja për të gjitha palët ndërgjyqësore, pasi në qoftë se njëra palë kërkon të ekzekutojë vendimin, pala tjetër kërkon të bëjë rekurs për në Gjykatën e Lartë, kërkesë e cila, në bazë të nenit 476 të K. Pr. Civile, duhet të depozitohet në një afat prej 30 ditësh nga njoftimi që u është bërë palëve. Në këto kushte, gjyqtarët kanë shkelur të drejtën e palëve për gjykim brenda afatit të arsyeshëm ligjor, duke lejuar tejzgjatje të procesit dhe mosrealizim të të drejtave të tyre themelore në kohë.

Raporti

Në një raport të inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, në kohën që drejtohej kjo ministri nga Ilir Rusmajli, 11 gjyqtarë janë gjetur me shkelje në vendimet për lirimin disa të dënuarve. Sipas raportit, nga ana procedurale, rezulton se gjykatat, të cilat kanë shqyrtuar kërkesat e të dënuarve, në bazë të nenit 478 të K. Pr. Penale, nuk kanë zhvilluar të njëjtat procedura ligjore. Rezulton se ka gjykata të cilat kanë pranuar fillimin e shqyrtimit të kërkesës së të dënuarit kur ajo nuk ka pasur bashkëngjitur prova shkresore. Katër janë gjykatat ku gjyqtarët janë konstatuar me shkelje: Lezhë me 4 çështje, Tiranë me 6 çështje, Kavajë me 4 çështje dhe Krujë me 1 çështje. Referuar raportit, rezulton nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore të dhëna në bazë të nenit 478 të K. Pr. Penale, se gjykatat nuk kanë analizuar dhe nuk kanë nënshtruar shqyrtimit dhe debatit gjyqësor provat shkresore, dosja personale e të dënuarit ku përfshihen vendimi gjyqësor penal i formës së prerë me të cilin është deklaruar fajtor kërkuesi i dënuar, dinamika e vuajtjes së dënimit, vlerësimet e sjelljes. Në këto gjykime, gjykatat nuk kanë zbatuar kërkesat e nenit 152 të K. Pr. Penale lidhur me parimin se çdo provë gjatë gjykimit i nënshtrohet shqyrtimit dhe debatit gjyqësor dhe asnjëra prej tyre nuk ka vlerë të paracaktuar. Duke mos zbatuar kërkesat e neneve 149, 151, 152, 357, 367 të K. Pr. Penale, gjykatat kanë dhënë një vendim gjyqësor të njëanshëm, duke trajtuar vetëm provat e kërkuara nga kërkuesi i dënuar dhe përfaqësuesi i tij në gjykim. Gjykatat, në dhënien e vendimit gjyqësor për këto gjykime, kanë shkelur kërkesat e nenit 383, pika 1, germa “ c “ të K. Pr. Penale, në të cilin përcaktohet se vendimi gjyqësor përmban parashtrimin e përmbledhur të rrethanave të faktit dhe provat mbi të cilat bazohet vendimi, si dhe arsyet për të cilat gjykata i quan të papranueshme provat e kundërta. Nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë marrë pjesë në gjykimin e kërkesave të të dënuarve, në bazë të nenit 478 të K. Pr. Penale, nuk kanë patur parasysh përmbajtjen dhe nuk kanë administruar ligjin nr. 8328 dt. 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim “i ndryshuar”.

Gjyqtarët që do të propozohen për procedime disiplinore në KLD

Gjyqtarët me shkelje në Apel

Zeqine Sollaku

Dalip Bushi

Fatos Qato

Alaudin Malaj

Aleksandër Muskaj

Flutura Skënderi

Rrahman Qinami

Pajtim Hoxha

Seit Xhaxho

Lefter Jahja

Bashkim Caka

Edmond Islamaj

Gjykata Burrel

Murat Lleshi

Çështja “Delijorgji”

Ylli Minka

Naum Pejo

Shaqir Gradica

Lirimi i të dënuarve

1. Gjyqtarja Lezhës, Parashqevi Ademi 4 raste

2. Gjyqtarja e Krujës, Dhurata Balla 2 raste

3. Gjyqtari i Tiranë, Artur Gaxhi 2 raste

4. Gjyqtari e Tiranës, Sokol Tona 2 raste

5. Gjyqtari i Kavajës, Luan Lusha, 2 raste

6. Gjyqtari e Tiranës, Altin Abdiu, 1 rast

7. Gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, 1 rast

8. Gjyqtarja e Krujës, Ariana Lico, 1 rast

9. Gjyqtari i Tiranës, Martin Deda, 1 rast

10. Gjyqtari i Tiranës, Bledar Abdullai, 1 rast

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›