E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e bankës, nën shqyrtim kasetat e sigurisë

Grupi hetimor i ngritur në Prokurorinë e Tiranës për zbulimin e autorit të grabitjes së njërit nga filialet e bankës "Raiffeisen" pak ditë më parë në Tiranë, ka marrë në shqyrtim edhe kasetat filmike të sigurisë së kësaj banke, bënë të ditur të shtunën burime pranë prokurorisë. Sipas këtyre burimeve, përmes kësaj procedure hetimore pritet të administrohen materiale të vlefshme për hetimin e kësaj ngjarjeje. Nga ana tjetër, forcat e policisë kanë shoqëruar mbi 20 persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Por, pas intervistimit ata janë lënë sërish të lirë. Filiali i "Raiffeisen Bank" pranë “Zogut të Zi”, është grabitur pak ditë më parë nga një person i maskuar dhe i armatosur me pistolete. Nën kërcënimin e armës, autori ka mundur të grabisë nga kjo bankë një shumë prej 3 milionë lekësh dhe më pas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Pas ngjarjes, policia ngriti dyshime ndaj një personi konkret të dyshuar si autor i grabitjes, i cili u shoqërua, por më pas u la i lirë për shkak se provat ishin të pakta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›