E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli thyen heshtjen: Të hapen dosjet e sigurimsave



Kryetarja e Kuvendit i kërkon Komisionit të Ligjeve të fillojë shqyrtimin me procedurë të shpejtë të projektligjeve për pastërtitë e figurave të larta në shtet

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka dërguar një letër në Komisionin e Ligjeve, ku i kërkon këtij të fundit të fillojë menjëherë shqyrtimin e tri projektligjeve për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, apo siç njihet ndryshe, ligji për ish-spiunët e Sigurimit. Në letrën që mban datën 27 maj, kryetarja e Kuvendit i kujton zëvendësit të saj, Fatos Beja, se tri projektligjet për këtë çështje kanë dy vite që qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit. Ndonëse në Grupin Kuvendor të Partisë Demokratike u vendos që çështja e ish-sigurimsave, si dhe pastrimi i figurave dhe zyrtarëve të lartë të shtetit të bëhej në shtator, Topalli ka menduar ndryshe. Ajo është shprehur se këto projektligje duhet të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, duke i hapur rrugën miratimit të shpejtë në seancën plenare. Tri projektligjet që kanë ardhur në Kuvend janë përgatitur nga ekspertët e Partisë Demokratike, që kanë hartuar një nismë ligjore të vetme. Të njëjtën gjë kanë përgatitur edhe socialistët, si dhe demokristianët kanë paraqitur në Kuvend një nismë për të njëjtin qëllim, i cili do të merret në shqyrtim. Topalli shprehet më tej në letrën e saj dërguar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, se këto nisma ligjore janë të përfshirë në kalendarin punimeve të Komisionit të Ligjeve, që do të thotë se ato mund të diskutohen menjëherë dhe pa humbur kohë.

Projektligjet

Sipas projektligjit të PD-së, subjekt i verifikimit janë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, të cilët më datë 11 dhjetor 1990 janë 18 vjeç e lart dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë, apo do të kryejnë një nga detyrat ose funksionet, apo janë në marrëdhënie pune në institucione. Projektligji i PDK-së parashikon që ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë dhe në njësitë e qeverisjes vendore. Ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët ndalohen të zgjidhen në postet drejtuese të shtetit shqiptar. Kontrollit do t’i nënshtrohen Presidenti, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, nëpunës të nivelit të lartë dhe të mesëm. Kontrollit do t’i nënshtrohen dhe gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, zyrtarët që zgjidhen e emërohen nga Presidenti, Kryeministri, ministri dhe Kuvendi. Për verifikimin e kontrollin e figurës së personit zyrtar ngrihet një komision i posaçëm pranë SHISH. Në thelbin e propozimit të Partisë Socialiste qëndron ngritja e një komisioni hetimor, i cili do të punonte për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Megjithatë dosjet, sipas këtij propozimi, nuk do të bëheshin publike, me përjashtim të rasteve të veçanta. Në rast se do të zbuloheshin punonjës të administratës që kanë qenë bashkëpunëtorë me Sigurimin e Shtetit, ndaj tyre nuk do të merrej masa për largimin nga detyra. Drafti i socialistëve është paraqitur në protokollin e Kuvendit, si dhe është parashikuar disa herë për nisjen e diskutimeve, por duke mbetur gjithnjë në sirtarët rezervë. Ndërsa që në fillim u kundërshtua nga përfaqësuesit e mazhorancës, pasi sipas tyre, projekti nuk sillte as pastrim të administratës e as ndëshkim të bashkëpunëtorëve të Sigurimit.

Projektligji i PD-së

Subjekt i verifikimit të përgjithshëm, sipas këtij ligji, janë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, të cilët më datë 11 dhjetor 1990 janë 18 vjeç e lart, dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë apo do të kryejnë një nga detyrat ose funksionet apo janë në marrëdhënie pune në institucionet në vijim:

a)Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;

b)Presidenti i Republikës, të zgjedhurit nga Kuvendi dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese;

c)Anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, sekretarë të Përgjithshëm të institucioneve qendrore në varësi të Kryeministrit apo ministrit, funksionarë politikë, drejtorë të përgjithshëm dhe drejtorë të drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në struktura të tjera shtetërore;

ç)Zyrtarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas rangjeve të caktuara në pikën "c";

d) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;

dh) në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për oficerët, funksioni organik i të cilëve përfshin gradë të lartë (gjeneral e kolonel), komandantët e njësive të pavarura;

e) Prefektë, kryetarët e këshillave të qarkut, si dhe kryetarët e bashkive dhe

komunave;

ë) Në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR), në Gardën e Republikës; drejtorë policie qarku në Policinë e Shtetit;

gj) Gjyqtarë dhe prokurorë pranë Gjykatave të Apelit;

h) Drejtuesit e përfaqësive diplomatike.

Projekti i PS-së

Objekt i këtij ligji është hapja e arshivave të shërbimeve sekrete shqiptare, të para datës 31.12.1992, për të gjithë ata funksionarë të lartë shtetërorë, të parashikuar nga ky ligj, që vazhdojnë të mbajnë këtë funksion, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, dhe ka për qëllim vetëm publikimin e tyre.

Janë objekt verifikimi këta funksionarë publikë:

Presidenti i Republikës

Kryeministri

Deputetët

Ministrat

Zv.ministrat

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Anëtarët e Gjykatës së Lartë

Të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga Kushtetuta.

PS krijon Bordin e Dialogut me Shoqërinë

Partia Socialiste krijoi në qytetin e Shkodrës Bordin e Dialogut me Shoqërinë. Ky bord krijon një hapësirë të re për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për politikën pa qenë domosdoshmërish anëtarë partie. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kjo ide buron nga shqetësimet e njerëzve. “Duhet të hapet një hapësirë e re, për të gjithë ata qytetarë të interesuar në jetën e komunitetit dhe vendit të tyre. Është një ide e cila ka lindur nga shqetësimet që burojnë prej faktit se shumë njerëz të vlefshëm, që qytetet tona nuk e kanë luksin t’i lënë jashtë vëmendjes dhe pa shfrytëzuar në potencialet e tyre, për fat të keq nuk shërbejnë, sepse partitë politike kanë frikë prej tyre”, - deklaroi ai që nga Shkodra. Sipas tij, është koha që ne të kuptojmë se në rast se partive u lind ekskluziviteti i politikëbërjes dhe i vendimmarrjes, e në rast se partitë nga ana tjetër këtë ekskluzivitet nuk e ndajnë me shumë aktorë dhe faktorë, atëherë rezultati është ky që shikojmë dhe nuk mund të jetë tjetër. “Në rast se grupet qytetare të presionit ndërtohen dhe funksionojnë duke krijuar shembuj, siç është ky “Bord i Dialogut me Shoqërinë”, të jeni të bindur, se cilësia e politikëbërjes do të ndryshojë, cilësia e vendimmarrjes apo ekzekutimit të pushtetit do të ndryshojë”, - deklaroi Rama.

LSI prezanton kandidatin në zgjedhjet e pjesshme në Kashar

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka dhe sekretari i PDS-së, Artur Duçkollari, kanë prezantuar kandidatin për zgjedhjet e pjesshme në Komunën Kashar. Pas një sërë diskutimesh dhe komunikimi të vazhdueshëm nga partitë e këtij koalicioni me anëtarësinë dhe simpatizantët e tyre, u përzgjodh Alfred Bakalli, kandidat i përbashkët për zgjedhjet e 27 korrikut në Komunën Kashar. Pasi ka përshëndetur të pranishmit në këtë prezantim të kandidaturës, Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, u shpreh tepër optimist për fitoren e kandidatit Bakalli në zgjedhjet e pjesshme më 27 korrik. Ceka u shpreh i bindur se me programin që kishte përgatitur Alfredi, ai do të jetë fitues në garën elektorale për zgjedhjet në këtë komunë. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe sekretari politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkallari, i cili theksoi se këto zgjedhje do të jenë prova e para e opozitës së vërtetë, e opozitës që denoncon dhe refuzon Berishën, e opozitës që nuk bënë kompromis me një qeveri të dështuar dhe të korruptuar. Lideri i LSI-së, z. Meta, shprehu bindjen e tij, dhe të partive të tjera mbështetëse për fitoren e z. Bakalli në zgjedhjet e 27 korrikut. Duke e njohur më nga afër z. Bakalli, Meta u shpreh se “ashtu sikurse ka përkushtimin maksimal për të përfaqësuar në mënyrë dinjitoze si këshilltar i kësaj komune interesat e këtij komuniteti, kam bindjen se ai do të jetë më i përkushtuar ndaj shqetësimeve dhe halleve të banorëve të Kasharit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›