Llalla Hetim ne terren per pasurite e zyrtareve
Zyrtarët e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive tashmë do të zbresin vetë në terren, për të verifikuar nga afër të gjitha rastet e mundshme të abuzimeve të zyrtarëve me pasuritë e tyre. Nisma u bë e ditur dje nga kryeinspektori i ILDKP-së, Adriatik Llalla, përgjatë fjalës së mbajtur në tryezën me temë “ILDKP-ja dhe roli i medias në luftën kundër korrupsionit”, organizuar nga institucioni që ai drejton dhe OSBE-ja. Sipas Llallës, në grupet e punës që do të krijohen për këtë ekspeditë në terren do të jenë pjesë edhe përfaqësues të medias dhe po kështu të shoqërisë civile. “Hetimi i thelluar në terren është një sfidë e rëndësishme institucionale, e cila kërkon padyshim bashkëpunimin e faktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare, në mënyrë që të përcjellë impaktin e duhur te publiku dhe të rrisë besimin e tij në institucionet publike shqiptare. Për këtë arsye, është kërkuar dhe është gjetur bashkëpunimi paraprak me disa organizma joqeveritare dhe organe mediatike”, theksoi Llalla në fjalën e tij, duke e quajtur këtë projekt si të një rëndësie të veçantë për sa i përket luftës kundër korrupsionit. Sipas kryeinspektorit, projekti pritet të ketë sukses për faktin se përgjatë tij do të ndërthuren interesat e medias me misionin e Inspektoratit të Lartë. Po kështu, në kuadër të realizimit të këtij projekti, Llalla theksoi se Inspektorati i Lartë po punon paralelisht për ngritjen e sistemit të deklarimit të interesave private online nga ana e zyrtarëve, projekt për të cilin tashmë kanë filluar bisedimet e para me faktorin vendas, por dhe atë ndërkombëtar. “Ky sistem do të ofrojë një menaxhim më të mirë të të dhënave pasurore të subjekteve deklaruese dhe do të ndihmojë që, në kohë reale, të përcaktohen problematikat në pasuritë e zyrtarëve, si edhe të evidentohen në kohë rastet e konfliktit të interesave”, theksoi kryeinspektori i ILDKP-së. Sipas Llallës, menaxhimi elektronik i të dhënave do të jetë, gjithashtu, një ndihmesë për gazetarët, të cilët do të shprehin gatishmërinë dhe do të angazhohen në projektin e përbashkët të investigimit në terren. Nga ana e tij, Llalla e konsideroi si të suksesshëm bashkëpunimin e institucionit që ai drejton me mediat, duke theksuar se në shumë raste hetimet e thelluara për fenomenet fshehjes së pasurive apo konfliktit të interesit kanë marrë indicie pikërisht nga artikujt dhe kronikat e mediave. Përfaqësues të ILDKP-së në tryezën e djeshme sollën raste konkrete të suksesit që ishte shënuar në të shkuarën nga bashkëpunimi i këtij institucioni me mediat në vend, në luftën kundër korrupsionit.