E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama Dick Marty eshte nje sharlatan

Selia rozë Kreu i opozitës: Ndiejmë neveri për atë zotëri

Partia Socialiste kundërshton akuzat e përfshira në raportin e parlamentarit Dick Marty duke shtuar përveç qëndrimit politik edhe neverinë. Ky është mesazhi i dhënë dje nga kreu socialist, Edi Rama, i cili ka hapur me këtë çështje bashkëbisedimin e të premtes me përfaqësues të medias. “Neveri për atë zotërinë që ka formuluar një sërë akuzash shumë të ulëta për Kryeministrin e Kosovës, i cili është vendosur në shënjestër pikërisht sepse ka luajtur një rol vendimtar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës”, tha Rama. Sipas tij, roli vendimtar i Hashim Thaçit në pavarësimin e Kosovës ka sjellë një lojë të tillë të ulët e cila e ka vendosur Kryeministrin kosovar para akuzave shumë të rënda. Në një farë kuptimi ky është edhe një vlerësim i ri për historinë e luftës së vitit 1999, e cila në formulimet e përgjithshme politike e njeh meritën NATO-s për ecurinë e saj. Si hap konkret politik, Rama ka paralajmëruar bashkëpunim të plotë me Partinë Demokratike në Këshillin e Europës në momentin që ky raport do të vijë për diskutim. “Ne do të unifikojmë plotësisht qëndrimin me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë në Këshillin e Europës, kur të diskutohet në Asamble ky raport i mbushur me shpifje dhe me baltë. Do të bëjmë detyrën tonë ndaj së vërtetës për t’i kthyer mbrapsht të gjitha këto shpifje dhe këtë baltë”, deklaroi Edi Rama. Pas këtij premtimi që e vendos politikën shqiptare në një front unik përballë akuzave më të rënda të bëra deri më tani të paktën për krime të kësaj natyre, kreu socialist ka dhënë një konsideratë personale për parlamentarin zviceran, i cili vuri në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare. “Në pikëpamjen tonë, hartuesi i këtij raporti është thjesht një sharlatan i cili i shtohet zogorisë së sharlatanëve që në histori kanë bërë keq e shumë më keq, për të goditur dhe dëmtuar shqiptarët dhe çështjen e tyre”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›