BE Kultura e mosndeshkimit defekti kryesor
Mosndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë është cilësuar si problemi kryesor nga ana e ndërkombëtarëve në lidhje me çështjet e korrupsionit në Shqipëri. Pothuajse në çdo raport të ndërkombëtarëve, ku flitet dhe analizohet ky proces në Shqipëri, theksohet mungesa e rasteve kur zyrtarë të lartë dënohen për korrupsion. Kjo u bë e qartë edhe në progres-raportin e fundit që Komisioni Europian hartoi për Shqipërinë, ku theksohej në mënyrë të prerë se mungonin rekordet e ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë. Madje aty theksohej se edhe në rastet kur puna për hetimin e tyre ka nisur në mënyrë të vrullshme, ajo është ndalur rrugës, duke mos dhënë rezultate dhe ndëshkime konkrete për të përfolurit për këto akuza. Kjo ka bërë që përfaqësuesit e opozitë të theksojnë se fakti që Shqipërisë nuk iu akordua e drejta e statusit të vendit kandidat lidhet pikërisht me përhapjen e madhe të fenomenit të korrupsionit dhe me mosndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë të qeverisë për këtë fenomen. Por mazhoranca nuk e ka pranuar këtë akuzë, duke theksuar se ajo ka marrë masa tepër të rrepta për sa i përket ndëshkimit të korrupsionit dhe ka inkurajuar organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre të pashqetësuar në luftën kundër këtij fenomeni. Sipas përfaqësuesve të mazhorancës, Shqipëria ka fituar shumë beteja kundër korrupsionit dhe mohimi i statusit të vendit kandidat erdhi sepse në vend, prej më shumë se një viti, ka një krizë politike, për shkak të kërkesave të opozitës në lidhje me zgjedhjet e shkuara të përgjithshme. Ndërkombëtarët kanë theksuar se në shumë raste ndëshkimi vlen për zyrtarët e nivelit të ulët, siç janë kryetarët e komunave dhe nëpunësit e tjerë.