E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Jashtme Raporti abuzim me autoritetin e Keshillit te Europes

Deklarata Reagon Tirana zyrtare: Gjithçka është e pabazuar në fakte dhe spekulative

Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet ndërkombëtare lidhur me sqarimin e çështjeve që ngre raporti i parlamentarit zviceran të Këshillit të Europës, Dick Marty. Në serinë e deklarimeve të njëpasnjëshme edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka dalë dje me një deklaratë të posaçme për shtyp përmes së cilës teksa ka hedhur poshtë akuzat e bëra në adresë të vendit tonë ka nënvizuara vullnetin për të vendosur çdo bashkëpunim nëse çështjet do të rihapen. Si provë e pafajësisë së Shqipërisë është sjellë hetimi i kryer disa kohë më parë nga Gjykata e Hagës, e cila rrëzoi pretendimet e ish-prokurores Carla del Ponte. “Institucionet e Republikës së Shqipërisë kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe vetë z. Marty gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2009. Ministria e Punëve të Jashtme përsërit publikisht gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa asnjë rezervë me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në këtë çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me Këshillin e Europës”, deklaron Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Nisur nga praktika hetimore  mëparshme, por edhe në funksion të artikulimit të një qëndrimi politik zyrtar, Ministria e Jashtme ka bërë një vlerësim negativ të raportit të fundit të Dick Marty-t, i cili duhet thënë se risjell në qendër të vëmendjes rajonale dhe ndërkombëtare një anë tjetër të diplomacisë ndërkombëtare. “Raporti është totalisht i pabazuar në fakte, prova apo realitet, çka dëshmon qartë për anësi politike të autorit, duke përbërë abuzim me autoritetin e Këshillit të Europës. Një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe maturisë që përçon Këshilli i Europës”, vijon deklarata e Ministrisë edhe pse në fakt dokumenti i zviceranit është miratuar në mënyrë unanime nga Këshilli i Europës. Spekulative dhe shpifëse konsiderohen edhe akuzat e bëra nga ana e tij, por përtej fakteve të dhëna nga Gjykata e Hagës asgjë nuk jepet nga institucionet e shtetit shqiptar, të cilat së bashku me autoritetet kosovare gjenden aktualisht më shumë përballë një ofensive diplomatike nga ana e faktorëve me peshë të komunitetit europian. Për këtë arsye, reagimi i Tiranës zyrtare edhe pse në pamje të parë i ashpër, mbetet politikë pasive, pritëse, për sa kohë që koordinimi i lëvizjeve të kryera menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë ka kapur në befasi të gjithë klasën politike shqiptare. Për më tepër që loja edhe njëherë ka gjasë të vendoset gjetkë dhe për këtë një ide jepet edhe në deklaratën e Ministrisë së Jashtme, e cila në frymë përputhet me reagimet e disa kancelarive europiane. “Rikujtojmë se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova”, thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›