E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama shpall sot Klintonin sekretare Shteti

 

Një marrëveshje me Bill Klinton ka mundësuar kapërcimin e pengesave përfundimtare, që ish-zonja e parë amerikane tashmë të drejtojë politikën e Jashtme të shtetit më të fuqishëm në botë. Sot pritet që Obama të emërojë Hilari Klintonin si sekretaren e Shtetit në mandatin e tij presidencial. Deklaratën e kanë bërë disa zyrtarë të Partisë Demokratike. Obama dhe senatorja Klinton ishin rivalë të ashpër në garën presidenciale, por më pas senatorja e Nju Jorkut u bë zëri kryesor mbështetës brenda Partisë Demokratike për zgjedhjen e Obamës si president, duke i bërë thirrje edhe mbështetësve të saj, që ta japin votën pro ndryshimit që ofronte Obama. Hilari Klinton shihet si një politikane mjaft e vlerësuar në Shtetet e Bashkuara. Shumë e kanë kritikuar Obamën, që nuk zgjidhi Klintonin si zëvendëspresidente gjatë garës së tij, por duket se ish-senatori i Illinoisit, tashmë presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, kishte plane të tjera për të. Për të bërë të mundur emërimin e zonjës Klinton, zyrtarët thonë se Bill Klintoni ra dakord të bëjë të njohura të gjithë emrat e donatorëve për fondacionin e tij. Ish-presidenti amerikan pritet të bëjë të njohur mbi 200 mijë emra donatorësh, për të shmangur mundësinë për konflikt interesi. Klinton gjithashtu do të refuzojë donacionet nga qeveritë e huaja për konferencën e tij vjetore të bamirësisë, “Nisma Globale Klinton”. Sipas zyrtarëve demokratë, zoti Obama do të bëjë të njohur se do ta mbajë Robert Gejts në postin e Sekretarit të Mbrojtjes dhe në postin e Këshilltarit të Sigurimit Kombëtar do të emërojë gjeneralin e marinës amerikane në pension Xhim Xhons. Rezultatet pritet të shpallen në një konferencë shtypi në Çikago gjatë ditës së sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›