E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonesa për vënien e serumit, 4 të rinj dhunojnë mjekun

Dhunë ndaj bluzave të bardha në Spitalin e Burrelit. Prangosen autorët. Keqtrajtohet kirurgu Hasan Ceni dhe shoferi i ambulancës, Arsen Duka
BURREL – Personeli mjekësor është vonuar për të vënë shishen e serumin tek i sëmuri, gjë që ka irrituar të afërmit të tij, të cilët më pas kanë shpërthyer me dhunë ndaj mjekëve si dhe kanë shkatërruar disa nga pajisjet e Spitalit të Burrelit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është rrahur kirurgu i Spitalit të Burrelit Hasan Ceni dhe shoferi i ambulancës së këtij spitali, Arsen Duka. Sipas tyre, katër shtetasit, Ylber Neli, Alket Ibrahimi, Artan Puka dhe Shkëlqim Dervishi janë autorët e dhunës ndaj bluzave të bardha. Për disa minuta ata kanë bërë luftë me personelin në mjediset e katit të dytë të spitalit, por një telefonatë e bërë në komisariatin e qytetit ka bërë që të mbyllet konflikti dhe të ndalohen agresorët.
Shkaku
Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:00, shtetasit Ylber Neli, 32 vjeç dhe Alket Ibrahimi, 25 vjeç, janë paraqitur në urgjencën e spitalit të këtij qyteti në gjendje të dehur. Sipas burimeve në Komisariatin e Policisë së Burrelit, “dy personat në gjendje të alkoolizuar kanë kërkuar nga mjekët që të marrin në mënyrë urgjente serume, pasi ndodheshin në gjendje të rëndë”. Por duket se vonesa në ofrimin e shërbimit ndaj tyre ka tensionuar situatën. Ata kanë filluar që të përleshjen me mjekët, duke i qëlluar me grushte dhe sende të tjera të forta. Më pas, dy të rinjve u janë bashkuar edhe dy persona të tjerë që rezultojnë të jenë shokët e të tyre. Burimet shtojnë se ata janë: Artan Puka, 30 vjeç dhe Shkëlqim Dervishi, 24 vjeç. Të katër personat kanë ushtruar dhunë ndaj mjekut kirurg të spitalit Hasan Ceni, që ishte njëkohësisht edhe mjek roje, si dhe ndaj shoferit të ambulancës, Arsen Duka. Lufta mes katër të rinjve dhe mjekut me shoferin e tij kanë vazhduar në prani të dhjetëra pacientëve, të cilët janë terrorizuar nga konflikti në mjediset e spitalit. Më pas, shtetasit Ylber Neli, Alket Ibrahimi, Artan Puka dhe Shkëlqim Dervishi kanë thyer xhamat e dritareve të spitalit si dhe aparaturat që ndodheshin në mjediset e urgjencës.
Policia
Menjëherë sapo një telefonatë anonime ka mbërritur në numrin 129 të policisë së Burrelit, një furgon me patrullën e policisë së këtij rrethi ka mbërritur në Spitalin e Burrelit. Nën drejtimin e shefit të Krimeve të këtij komisariati, uniformat blu kanë hyrë në mjediset e Spitalit të Burrelit, duke bllokuar të gjitha hyrje-daljet. Por, sapo kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin me personelin mjekësor, të rinjtë u janë drejtuar forcave policore. Pas disa minutash, forcat e rendit kanë mundur që të prangosin katër personat dhe t’i dërgojë ata në dhomat e paraburgimit. Nga hetimet e para mësohet se shkak i këtij konflikti ka qenë kërkesa e Ylber Nelit dhe Alket Ibrahimit për të bërë një serum nga mjeku i urgjencës, i cili kishte dhënë urdhër që të merrej me këta pacientë një infermiere. Por mungesa e durimit u bë shkak për shpërthimin e dhunës nga personat e alkoolizuar. Ndërkohë që roja private i spitalit nuk ka qenë në gjendje për të shmangur përplasjen fizike të dy grupeve. Ndaj katër të arrestuarve tashmë është ngritur akuza e “goditjes për shkak të detyrës”, “shkatërrim të pronës” dhe “kundërshtim të forcave të policisë në momentin e arrestimit”. Pak ditë më parë një mjek në rrethin e Fierit ra “viktimë” e keqtrajtimit nga të afërmit e një pacienti. Prej disa kohësh është rritur dhuna ndaj bluzave të bardha në spitalet tona, ndërsa institucionet shëndetësore ruhen nga strukturat e policisë private, të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë në gjendje të zgjidhin konfliktet.

Tërheq denoncimin mjeku i dhunuar

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, mjeku i dhunuar, Hasan Ceni, ka tërhequr denoncimin ndaj katër të rinjve. Burimet shtojnë se shkak është bërë frika për ndonjë hakmarrje të mundshme prej katër personave: Ylber Neli, Alket Ibrahimi, Artan Puka dhe Shkëlqim Dervishi. Gjithsesi, policia ka bërë ndalimin e tyre pasi ka prova për dëmtimin e pajisjeve të spitalit si dhe kundërshtim të forcave të rendit.

Ministria e Shëndetësisë denoncon dhunën

Ministria e Shëndetësisë reagoi menjëherë në lidhje me ngjarjen duke denoncuar dhunën e ushtruar ndaj bluzave të bardha. Në një prononcim të dhënë për “Albania”-n nga zëdhënësja e këtij institucioni kërkohet nga qytetarët që të distancohen nga akte të tilla që pengojnë punën e përditshme të mjekëve gjatë kohës që janë në krye të detyrës, duke u shërbyer njerëzve. Më tej, Ministria e Shëndetësisë vlerëson ndërhyrjen e shpejtë dhe të menjëhershme të forcave të rendit.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›