Alibeaj: Investime të mëdha në sistemin penitenciar
TIRANË- Investime të mëdha janë bërë dhe po bëhen për reformimin e sistemit penitenciar në vendin tonë. Kështu u shpreh sot për mediat ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj pas një takimi të organizuar në Tiranë nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe Instituti Europian i Tiranës mbi një projekt për Përmirësimin e Sistemit të paraburgimit në Shqipëri. Ministri Alibeaj, duke folur për investimet në sistemin penitenciar, bëri të ditur se gjatë këtij viti po negociohet me partnerët ndërkombëtarë për ndërtimin e gjashtë paraburgimeve të reja. Si investime të rëndësishme në këtë fushë, ai veçoi ndërtimin e tre burgjeve të reja vitin e kaluar që kanë përmirësuar infrastrukturën e këtij sistemi. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj siguroi se, Qeveria po ndërmerr hapa të mëdha për sistemin e burgjeve dhe reformimin e tij.
Policia shpall në kërkim 36- vjeçaren e humbur prej pesë ditësh
Elbasan - Një 36 vjeçare është shpallur person në kërkim, pasi prej 5 ditësh, është larguar nga banesa në drejtim të paditur, pas kallëzimit të bërë dje nga djali i saj, A. R. Burime të Policisë bënë të ditur për gazetën “Albania” se “36- vjeçarja Luljeta Ruda nga fshati Shushicë i rrethit të Elbasanit, ka humbur në datën 9 maj dhe deri tani, familjarët nuk dinë gjë për vendndodhjen e saj. Kallëzimin në polici e bëri djali i të humburës 15-vjeçari me iniciale A. R., që deklaroi se nëna e tij prej 4 muajsh nuk ka qenë mirë nga ana shëndetësore. Policia ka shpallur në kërkim Ekstra 36-vjeçaren, ndërsa materialet në ngarkim të çështjes i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Elbasan.
15 Maj 2009