Berat, dheu zë 2 punëtorë gurorësh, vdesin
BERAT- Dy punëtorë guroresh kanë vdekur aksidentalisht teksa punonin për nxjerrjen e gurëve dekorativë në pllajën e malit të Tomorit në qytetin e Beratit. Ngjarja tragjike ndodhi dje në mëngjes kur dy punëtorët e firmës “Qano” kishin filluar punën. Sipas të dhënave të para 40-vjeçari Lili Tumani dhe Jani Pire 33 vjeç, nga Ura Vajgurore po punonin së bashku në një vend, kur është shembur dheu dhe gurët dhe kanë zënë dy viktimat brenda. Kanë qenë shokët e tyre, që kanë ndihmuar të nxjerrin trupat e viktimave dhe i kanë dërguar menjëherë në spitalin e Beratit. Nga hetimet e para mësohet se vdekja mund të ketë ardhur për pasojë të mos respektimit të rregullave të sigurisë në punë. Burime policore i thanë “Albania” se jo rrallë herë në pllajën e malit të Tomorit ku nxirren pllaka guri dekorativë ndodhin aksidente të tilla me pasojë vdekjen e punëtorëve. Nxjerrja e pllakave dekorativ bëhet në mënyra shumë primitive ç’ka shkakton dhe vdekjen aksidentale të punëtorëve.
15 Maj 2009