Avokati i Popullit, investime për infrastrukturën në Burgun 313 në Tiranë
TIRANË- Zyra e Avokatit të Popullit ka sugjeruar që të ndërmerren investime për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet në burgun 313 në Tiranë. Sugjerimi u është bërë i ditur drejtuesve të burgut 313, pas një inspektimi që Zyra e Avokatit të Popullit realizoi disa ditë më parë me qëllim monitorimin nga afër të kushteve dhe ambienteve të të paraburgosurave, gra dhe të mitur, që mbahen në këtë institucion. Gjatë këtij inspektimi, u vu re se godina në tërësinë e saj ishte e amortizuar dhe ambientet e brendshme të saj nuk plotësonin kushtet e duhura, bënë të ditur sot burime nga Zyra e Avokatit të Popullit. Sipas të njëjtave burime, gjatë kryerjes së këtij inspektimi grupi i Avokatit të Popullit shoqërohej edhe nga përfaqësues të Institutit Europian në Tiranë, konkretisht ish -funksionarja e Këshillit të Europës, Marta Onorato, me detyre drejtore ekzekutive e këtij instituti. Gjatë inspektimit u vlerësua angazhimi, bashkëpunimi dhe transparenca që u mundësua nga Drejtori i ri i këtij institucioni, Shkëlqim Kalemi dhe Shefi i Policisë, Nazmi Demirxhiu.
15 Maj 2009