Alibeaj: Ligji për Prokurorinë, transparent
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se ligji për prokurorinë nuk e cenon pavarësinë e akuzës, por është transparent. Gjatë një interviste të dhënë për TV Klan, kreu i sistemit të drejtësisë theksoi se janë shumë çështje që pritet të ndryshohen në projektligjin për funksionimin e prokurorisë. Ndër më kryesoret, ministri Alibeaj citoi përcaktimin e saktë të hierarkisë në organizimin për një sistem të pavarur. Gjithashtu, sipas tij, duhen saktësuar marrëdhëniet mes drejtuesve të Prokurorive lokale, gjyqtarëve e qytetarëve dhe Prokurorit të Përgjithshëm, të saktësohen marrëdhëniet mes këtyre prokurorëve, të cilat duhet të jenë të bazuara në ligj. Më tej, ministri ka shtuar se “si çdo administrator, si çdo i besuar i publikut, duhet të administrojë këtë besim për të gjitha hallkat e institucionit”. Sipas tij, në vitin 2003 është miratuar ligji për konfliktin e interesit në administratën publike. “Pra, duhet që edhe ky segment i shtetit, pra sistemi i prokurorisë, të dalë jashtë konfliktit të interesit, dhe ndaj është bërë një ndërhyrje e tillë”, - vijoi deklarimin e tij kreu i Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me diskutimet më të fundit për ligjin për Prokurorinë. Sipas ministrit, do të rregullohen marrëdhëniet mes prokurorisë dhe institucioneve të tjera, duke ruajtur pavarësinë e institucionit. “Institucioni i prokurorisë duhet të bëhet i përgjegjshëm dhe efektiv ndaj përgjegjësive në marrëdhënie me publikun”, - përfundoi z. Alibeaj.